E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafajësia, komunari i Kasharit kërkon dëmshpërblim

Bashkim Kusi, anëtar i këshillit të komunës u arrestua për abuzime me pronat. Fitoi pafajësi në Gjykatën e Lartë

Një zyrtar vendor i Komunës së Kasharit, në periferi të Tiranës, i drejtohet gjykatës duke kërkuar dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Bashkim Kusi, anëtar i këshillit të komunës dhe i arrestuar nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës për abuzime me prona pretendon se është mbajtur në burg në mënyrë të padrejtë megjithëse ka qenë i pafajshëm. Si rrjedhojë kërkon nga Ministria e Financave dhe nga Dega e Thesarit Tiranë një dëmshpërblim për ditët që ka kaluar në qeli. Sipas kërkesës së depozituar në gjykatë, Kusi deklaron se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, duke marrë në dorë edhe vendimin e formës së prerë. Tashmë ai ka të gjitha të drejtat për të marrë dëmshpërblimin dhe sasinë që kërkon nga burgu i padrejtë ia ka lënë në vlerësim gjykatës.

Kërkesa

Padia e anëtarit të Këshillit të Komunës së Kasharit është regjistruar disa ditë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës. çështja mban numrin 9608, ndërsa paditës është shtetasi Bashkim Kusi. Lloji i çështjes është “kompensim për burgim të padrejtë dhe e paditur është Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë. Pas regjistrimit të padisë është hedhur shorti elektronik në Gjykatën e Tiranës dhe ka rezultuar se gjyqtarja që do të gjykojë këtë çështje është Elona Gjoka. Burime pranë Gjykatës së Tiranës thanë se ende nuk është përcaktuar data e zhvillimit të procesit gjyqësor. Mësohet se Kusi u arrestua së bashku me një koleg nga zyra e antikorrupsionit e policisë, ndërsa hetimet janë drejtuar nga Task-Forca Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Ndaj tyre rëndonin një sërë akuzash, që nga korrupsioni pasiv i personave të zgjedhur vendorë, falsifikimi i dokumenteve shtetërore, armëmbajtje pa leje, si dhe tjetërsim pasurie. Të gjitha këto akuza u formuluan mbi bazën e hetimit disamujor ndaj të arrestuarve. Këta persona u arrestuan pasi kishte dyshime se kanë tjetërsuar dhe përvetësuar, së paku 13 parcela trojesh ndërtimi dhe tokë bujqësore në Komunën Kashar.

Dosja “Kashari”

Në Komunën e Kasharit janë arrestuar, hetuar dhe dënuar disa zyrtarë vendorë. Mes të ndaluarve ishin edhe katër kryekomunarët, si dhe zyrtarë të tjerë vendorë që nga përgjegjësit e zyrës së kadastrës e deri tek anëtarët e këshillit. Në pranga ranë edhe disa sekserë që ndërmjetësonin për një pronë të caktuar te komunarët. Hetimet u ndoqën nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila dërgoi çështjen për gjykim. Komunarët u dënuan sa gjysma e masës së dënimit që kërkuan nga prokuroria, ndërsa në apel dënimi i tyre u përgjysmua. çështja shkoi në Gjykatën e Lartë e cila ka liruar pothuajse të gjithë të dyshuarit e të ashtuquajturës dosja “Kashari”. Këta persona akuzoheshin se kishin mbivendosur dhjetëra hektarë troje në këtë komunë, në zonat ndarëse me vijën e verdhë të Tiranës, e preferuar nga biznesmenë të ndryshëm për ndërtimet shumëkatëshe. Tashmë të gjithë këta persona janë në gjendje të lirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›