Gradat e reja, krijohen 300 vende pune vakante në polici
TIRANE - Zbatimi i Ligjit të ri të Policisë së Shtetit, ka krijuar afërsisht 300 funksione vakante në organikën e uniformave blu. Këto funksione kanë mbetur të lira pas largimit të një pjese të mirë të atyre punonjësve, të cilët nuk përmbushnin kushtet dhe kriteret lidhur me përputhjen e gradës me funksionin. Kriteret që nuk plotësonin efektivat e larguar lidhen me vjetërsinë në punë dhe me gradën. Në këtë mënyrë të gjithë, ata persona që kryenin këto funksione janë detyruar t’i lënë ato për të marrë një funksion tjetër më të ulët, apo që mund t’i përshtatej sipas vjetërsisë dhe gradës. Ky problem sipas burimeve policisë pritet të zgjidhet gjatë muajit shtator të këtij viti, nëpërmjet pranimeve të reja të studentëve të Akademisë së Policisë. Kjo pasi në muajin gusht Policia e Shtetit, organizoi konkursin për pranimet e reja në Akademi. Nga konkursi u pranuan 150 kandidatë për të vazhduar përgatitjet e tyre për patrullën e përgjithshme. Funksionet e tjera të mbetura vakante pritet që të mbulohen nëpërmjet transferimit të personave që kanë humbur gradën dhe funksionin, duke i dërguar ata në funksione mbështetëse. Me këtë mënyrë mësohet se mund të zgjidhet problemi i vendeve vakante të krijuara në Policinë e Shtetit. Në të ardhmen është parashikuar, që efektivat e dalë nga Akademia e Policisë me funksionin e patrullave të përgjithshme, të zëvendësojnë gradualisht efektivët e policisë që dalin në pension apo në reformë.