Nis sot muaji i Ramazanit
Sot nis muaji i shenjtë i Ramazanit, i cili konsiderohet nga komuniteti mysliman si muaji i harresës, mirësisë dhe dashurisë. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça, uroi dje gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë. ”Qëllimi i Ramazanit është të tentohet vlerësimi i këtij muaji të begatë, në arritjen e kënaqësisë së Zotit dhe në formimin e një bashkësie me vlera të shëndosha njerëzore”, tha Muçaj. Ai theksoi se, ky muaj na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm që të bëhemi më humanë dhe më të afruar me njerëzit në nevojë. E gjithë bota islame gjatë këtij muaji fal teravitë dhe thirrjet për lutje dëgjohen nga të gjitha xhamitë në mbarë botën. Gjithë besimtarët myslimanë fillojnë agjërimin në të njëjtën kohë. Ramazani është muaji i nëntë i vitit sipas kalendarit të HIXHRETIT. Ky muaj dallohet nga agjërimi, të cilin e kryejnë besimtarët. Në përfundim të këtij muaji një miliard myslimanët e botës festojnë festën e Eid al-Fitr (Bajramin e Madh). Komuniteti mysliman shqiptar, i cili vite më parë e respektonte në mënyrë të fshehtë muajin e shenjtë të Ramazanit, tashmë e mban atë në mënyrë të vullnetshme. Agjërimin njerëzit e njohin që nga lashtësia në një formë ose në tjetër gjë, që dëshmohet edhe në Kuran. Megjithatë nuk ka fakte, të cilat përcaktojnë në mënyrë të qartë se në ç’kohë nisi agjërimi për herë të parë. Thuhet se të parët që filluan agjërimin ishin egjiptianët e lashtë, të cilët agjëronin në një mënyrë të veçantë në festat e tyre. Agjërimin e praktikuan edhe kinezët e vjetër. Ata agjëronin sidomos në kohën e luftërave. Këtë rit ata e kishin të përcaktuar në ligjet e fesë së tyre. Edhe indianët kishin ditë dhe forma të caktuara të agjërimit, siç shpjegojnë librat e tyre të shenjtë si Brahma etj.