E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 10 shtator hapen ofertat për privatizimin e INSIG-ut

Brenda 10 ditëve të parë të këtij muaji priten të hapen ofertat e kompanive që kanë shprehur interes për privatizimin e kompanisë së sigurimeve INSIG. 

Fabiola Çela

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, procesi i privatizimit të kësaj kompanie është parashikuar që të përfundojë në fund të muajit nëntor. Gati një muaj më parë qeveria shpalli njoftimin e saj publik tek “Financial Times” për të gjitha kompanitë që janë të interesuara të blejnë aksionet e INSIG-ut. Qeveria ka vendosur që të shesë 61 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Ndërkohë kompania audituese KPMG, po kryhen edhe procesin e vlerësimit të aseteve kompanisë INSIG.
Privatizimi
Pasi KPMG-ja të kryejë vlerësimin e kompanisë do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili në bazë të çmimit të dalë nga vlerësimi do të përcaktojë edhe një nivel minimal dhe maksimal, që do të shërbejë si bazë për hapjen e tenderit për privatizimin e kësaj kompanie. Këtë muaj pritet të bëhet edhe njoftimi publik i kompanive, që plotësojnë kushtet për të vazhduar më tej konkurrimin dhe për të paraqitur ofertën përfundimtare për blerjen e INSIG. Menjëherë me të zgjedhur fituesit, fillohet negocimi i kontratës dhe nuk ka më procedura të tjera siç janë për privatizimet e tjera, që marrin miratimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkaq qeveria ka planifikuar që paratë që do të arkëtohen nga privatizimi i kësaj kompanie të përdoren për investime, por kryesisht për rrugë, edhe për Durrës-Kukës. Këtë vit qeveria pritet të mbyllë procesin e privatizimit për disa kompani. Përveç kompanisë së sigurimeve INSIG, këtë vit do të përfundojë privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH). Aktualisht kompanitë e parakualifikuara për privatizimin e OSSH-së janë ENEL S.p.a, ENERGIE STEIERMARK AG, EVN AG dhe  CEZ. Këto kompani janë duke përfunduar procesin e due diligence-s për përgatitjen e ofertave, të cilat do të paraqiten në datën 15 shtator 2008. Po këtë vit është parashikuar që të privatizohet edhe kolaudimi i makinave, si dhe paketa e aksioneve shtetërore të AMC-së. Ndërkohë përsa i përket privatizimit të kompanisë së përpunimit të naftës ARMO, aktualisht është firmosur kontrata me ofertuesin e shpallur fitues “Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe ka filluar procedura e miratimeve për bërjen efektive të kësaj kontrate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›