I përplas treni, vdesin të moshuarat
Dashamir Biçaku
Treni i linjës Tiranë-Durrës përplasi dje në mëngjes dy motra të moshuara, të cilat po ecnin në rrugën hekurudhore pranë ish-uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Menjëherë pas ngjarjes, policia shoqëroi makinistin e trenit për ta marrë në pyetje lidhur me aksidentin. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:30 minuta, kur Hume Drenova, 70 vjeçe nga Dibra banuese në Paskuqan dhe motra e saj Mide Ferraj, 70 vjeçe banuese në Durrës, po ktheheshin nga një vizitë tek motra e tyre në afërsi të zonës së ish-frigoriferit në Tiranë. Hume Drenova, sipas burimeve të policisë ka ndërruar jetë në vend për shkak të plagëve të rënda të marra në kokë dhe në trup, ndërsa motra e saj më e madhe Mide Ferraj kishte marrë një plagë të rëndë në kokë. Në gjendje të rëndë ajo është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët ajo nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagës së rëndë të marrë në kokë në krahun e djathtë pranë syrit. Dy gratë e moshuara kishin përshkuar një rrugë prej rreth 300 metrash mbi trasenë e hekurudhore, ndërsa po mbërrinin pranë kryqëzimit të trenit me rrugën “Jordan Misja”, pranë ish-uzinës “Dinamo”. Kur kishin mbetur më pak se rreth 150 metra nga kjo distancë, gratë janë përfshirë nga treni që ishte nisur nga stacioni vetëm pak minuta më parë. Dy të dëmtuarat kanë qenë duke ecur në një pjesë kthese dhe për këtë shkak mendohet se ato nuk e kanë dëgjuar zhurmën dhe sirenën e trenit që vinte pas tyre në drejtimin nga Tirana për në Durrës. Të moshuarat janë goditur nga treni dhe janë zhvendosur disa metra për shkak të forcës goditëse ndërsa makinisti ka frenuar dhe ka arritur të ndalojë mjetin pikërisht mbi kryqëzimin e rrugës hekurudhore me atë automobilistike të ish-uzinës. Uniformat blu shoqëruan në Komisariatin nr.3 makinistin Edmond Hajrullai, 47 vjeç. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mbledhja e dëshmive, policia ka konkluduar se viktimat kanë qenë duke ecur pranë shinave të trenit, ndërsa kanë kuptuar se ishin në rrezik në një kohë kur ishte vonë për shpëtimin e tyre. Një dëshmitare tha dje për gazetën “Panorama”, se një nga të dëmtuarat, kishte vdekur në vend, ndërsa tjetra kishte një plagë në kokë pranë syrit. “Kur e nisën për në spital vetëm po përmendte emrin e motrës dhe donte të dinte si ishte ajo”, tha dëshmitarja.
Viktimat po shkonin në Paskuqan
Dy motrat Mide Ferraj 75 vjeçe dhe Hume Drenova 70 vjeçe, një natë më parë kishin qëndruar tek një motër tjetër e tyre pranë ish-frigoriferit në Tiranë. Ndërkaq, mëngjesin e djeshëm mësohet se ato ishin nisur në drejtim të banesës së Hume Drenovës në Paskuqan, ku do të qëndronin gjatë ditës së djeshme. Lëvizja e tyre u ndërpre në mënyrë të papritur pas goditjes aksidentale që dy viktimat pësuan nga treni i linjës Tiranë-Durrës.