E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Raporti rrëzon pretendimet e PS-së për bojkot



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili do të jetë dhe zv.kryeministri i ri i kabinetit “Berisha 2” ka përshëndetur raportin final të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet. Një raport që mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike në Shqipëri, sipas Metës dhe gjithashtu që rrëzon pretendimet e ngritura nga PS, për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Kryetari i LSI-së tha se PS është po aq bashkëpërgjegjëse për të gjitha mangësitë që evidenton raporti. Këtu Meta iu referua reformës zgjedhore dhe peshës kryesore, që mori selia rozë në këtë proces. “Raporti i OSBE/ODIHR-it mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike në Shqipëri. Natyrisht zgjedhjet nuk kanë qenë të standardeve daneze dhe ju i dini vërejtjet tona dhe në veçanti të LSI-së. Ju i dini dhe vërejtjet tona për Kodin Zgjedhor, sikurse jeni të njohur me vërejtjet tona si për Partinë Socialiste dhe për Partinë Demokratike, të cilat u përpoqën të monopolizonin procesin. Por, nuk duhet të harrojmë që të gjithë, se si asnjëherë tjetër më parë përgjatë këtyre dy dekadave, edhe kodi zgjedhor dhe reforma elektorale iu la në dorë kryetarit të partisë më të madhe në opozitë, pra praktikisht iu la zotit Rama. Dhe për të gjitha ato mangësi dhe vërejtje që vihen re edhe në raportin e publikuar, duhet të kemi parasysh për vetë Partinë Socialiste, ajo është po aq bashkëpërgjegjëse sa PD-ja. Kështu që nuk ka asnjë arsye serioze për të justifikuar bojkotin përveç problemeve të brendshme”, - komentoi Meta dje në një konferencë të posaçme për shtyp. Ndërkaq ai ka përshëndetur qëndrimin e Kryeministrit Berisha për të ribërë reformën zgjedhore, duke i zgjatur dorën PS-së që të vërë veton në këtë reformë. “Kjo është një ftesë shumë konstruktive për bashkëpunim dhe për respektim, por është dhe një mundësi për Partinë Socialiste të përmirësojë ato gabime që bëri dhe me kodin që kushtëzoi partitë e tjera që të mos ishin pjesë e administrimit të zgjedhjeve. Për sa i takon depolitizimit të mëtejshëm të këtij procesi, natyrisht që ne jemi krejtësisht të hapur edhe për një proces administrimi zgjedhor, i cili nuk bazohet tek përfaqësuesit e partive”, - tha kreu i LSI-së. Ndërkaq si një politikan që pret të marrë së shpejti detyrën e ministrit të Jashtëm të vendit, Meta e sheh si një hap pozitiv raportin e OSBE/ODIHR-it për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Sipas tij, “ky është një raport, i cili nuk ka asnjë ndryshim në thelbin e vet nga raportet më pozitive të vendeve të tjera të rajonit tonë, që janë dhe në një status më të avancuar me BE-në, sesa Shqipëria”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›