E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gramoz Ruçi: Më 3 korrik synojmë 70 mandate

21/05/2005  Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, është shprehur se i vetmi sondazh për zgjedhjet e 3 korrikut është vota që do të japin shqiptarët për forcat politike këtë ditë. Sipas tij, “me lojën e sondazheve forcat politike dhe elementë të tjerë të shoqërisë shqiptare duhet të bëjnë kujdesin e duhur. Ne do t’i besojmë vetëm një sondazhi dhe ky është 3 korriku”. Ndërsa lidhur me sondazhet e zhvilluara kohët e fundit në vend për zgjedhjet, Ruçi shprehet se PS-ja do të dalë forca kryesore me rreth 70 vende në parlament. Për Ruçin, sipas disa studimeve të dala nga strukturat dhe ekspertë, rezulton se PS-ja ka “mbi 60 deputetë. Ne kemi hallkat tona që funksionojnë, nuk duam të luajmë me sondazhe, është ende herët. PS-ja është një parti që kërkon të përsërisë mandatin e tretë në legjislativ, ka një pretendim që të kalojnë edhe të vetëm 70 deputetë”. Duke e cilësuar si tepër të nxituar aplikimin e sondazheve në shoqërinë shqiptare në aspektin e politikës, Ruçi u shpreh se ”loja e sondazheve është një lojë e rrezikshme ashtu sikurse kam dëgjuar se do të jepet një sondazh ditën e fundit, pra para numërimit që është aplikuar edhe në vende me një demokraci të pjekur shumë vonë. Kështu që, do të thosha se me lojën e sondazheve edhe spektri politik edhe struktura të tjera të shoqërisë shqiptare që të bjënë kujdesin e duhur. Ne do t’i besojmë vetëm një sondazhi dhe ai sondazh është 3 korriku”, tha Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›