E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria shkarkon tri prefektët

21/05/2005  Nano shpërblen deputetin e përjashtuar nga lista e kandidimit, Vladimir Malo, me drejtimin e Fierit

Stefa, Qazimi dhe Hasanaj japin dorëheqjen, për të konkurruar në zgjedhjet e 3 korrikut

Drejtuesit e Prefekturave, që janë njëkohësisht kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste për këto zgjedhje janë shkakruar nga detyra, me vendim të Këshillit të Ministrave. Rajmonda Stefa, Qazim Sejdini dhe Ramadan Hasanaj, kanë lënë zyrtarisht dje detyrën, me kërkesë të tyre, ndërsa një prej deputetëve të PS-së, që nuk është përfshirë në listën e kandidatëve, ka marrë postin e prefektit të Fierit. Në këtë listë nuk është përfshirë prefektja e Qarkut të Tiranës, Mimi Kodheli, e cila pritet që të japë dorëheqjen në ditët në vazhdim. Sipas ligjit, ajo mund të qëndrojë në detyrë deri më 3 qershor, kur nis zyrtarisht fushata elektorale. Vetë Kodheli, pak ditë më parë, sqaroi se do të japë dorëheqjen dhe do t’i përkushtohet tërësisht zgjedhjeve. Në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së ka dhe drejtorë të lartë në administratën publike, të cilët janë shprehur të gatshëm për të dhënë dorëheqjen në respektim të ligjit. Kështu, Shpëtim Idrizi, drejtori i Doganave; Andis Harasani, drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare; Majlinda Keta, drejtoreshë e Arsimit në kryeqytet etj., janë shprehur se deri në momentin që kandidimi i tyre si deputet nuk prek detyrën aktuale, ata do të jenë në krye të saj.

Dorëheqjet

Tri prefektët: Stefa në Fier, Qazimi në Elbasan dhe Hasanaj në Shkodër, janë zëvendësuar respektivisht nga Vladimir Malo, Agim Leka dhe Oltion Luli. Deputeti Malo, i cili nuk do të kandidojë më si deputet, duket se është shpërblyer nga kreu i partisë si prefekt i Qarkut të Fierit. Ndërsa vetëm dy javë më parë dhe deputeti Bardhyl Agasi ka marrë detyrën si funksionar diplomatik i Shqipërisë në Danimarkë. Burimet thonë se pritet që të merren dhe një sërë vendimesh për shpërblimin e deputetëve që nuk do të kandidojnë më. Prej tyre është përjashtuar Ilir Zela dhe Servet Pëllumbi, që nuk kanë pranuar postet e ofruara. Pëllumbi është shprehur se do të jetë në drejtimin e një instituti politik, ndërsa Zela ka refuzuar deri më tani një post si ambasador.

Drejtorët

Aktualisht, edhe pse nuk ka filluar fushata elektorale, vetëm për Tiranën janë tre drejtorë të lartë në administratën shtetërore, të cilët do ta garojnë për të fituar zgjedhjet e 3 korrikut. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, e sheh veten më komod në një pozicion larg postit që mban për të zhvilluar fushatën elektorale. Kjo, sipas tij, për të dhënë 100 për qind të aftësive të tij politike në garën elektorale. Por aktualisht Idrizi, Harasani dhe Keta nuk kanë paraqitur dorëheqjet e tyre për të hyrë në fushatën elektorale të zhveshur nga postet që mbajnë. Vetëm dy ditë më parë, kreu i shtetit, Alfred Moisiu, ka kërkuar që në zgjedhjet e kësaj vere duhet të ndahet qartas interesat e shtetit nga ato të partive politike. Sipas tij, ndarja duhet të bëhet për të zhvilluar një fushatë mbi bazën e vlerave dhe parimeve demokratike. Ndërsa dhe kandidatët e opozitës kanë shprehur shqetësim mbi përdorimin e administratës në fushatën elektorale.

Agron Tato

Ardian Myslimaj

Banush Gozhdari

Bardhyl Agasi amdasador

Fatbardha Shabani

Ilir Zela

Maksim Balla

Mustafa Xhani

Nezir Selimaj

Niko Faber

Rahmi Mehmetllari

Servet Pëllumbi

Sotir Kokeri

Zyhdi Pepa

Ejup Tabaku

Vladimir Malo prefekt

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›