E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD prezanton 100 kandidatët

21/05/2005  Berisha: Konkurrentët kanë moshë mesatare 40-50 vjeç dhe janë me tituj shkencorë

"Ditën e parë të parlamentit do votojmë heqjen vullnetare të imunitetit"

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje, në Hotel Sheraton, në një takim me përfaqësues të medias, 100 kandidatët për deputetë. Kryedemokrati u kërkoi kandidatëve të tij që, në rast fitoreje, të jenë më të hapur ndaj hetimeve për korrupsion, që mund të ndërmerren nga Prokuroria. “Unë kërkoj nga ju të firmosni deklaratën, në të cilën do të zotohemi që, në mbledhjen e parë të parlamentit të ardhshëm, do të votojmë bashkërisht, heqjen e imunitetit”, tha Berisha.

Berisha

Kryetari i PD-së tha se stafi i përzgjedhur për të hyrë në garën e ardhshme parlamentare janë në moshë relativisht të re. Në 100 kandidaturat e përzgjedhura dominon mosha nga 40 deri në 50 vjeç, ndërkohë që grupmosha 25 deri në 35 vjeç zë rreth 35 për qind të kandidaturave. “Deputetët e ardhshëm të PD kanë ditëlindje të ndryshme, ku dominon grup-mosha 40-50 vjeç. 41 për qind i përkasin kësaj grupmoshe që ndiqet me grupmoshën 25-40 vjeç që zë 35 për qind. Vetëm 5% të kandidatëve janë mbi 60 vjeç”, tha Berisha. Sipas tij, në përbërje të kësaj përzgjedhjeje, 70 për qind janë akademikë ose persona të ardhur nga shoqëria civile, ndërsa të tjerët, figura të njohura të politikës në vend, por edhe biznesmenë. “Në përputhje me politikën e hapjes së PD, rreth 70 për qind e kandidatëve vijnë nga shoqëria civile, bota akademike universitare, media dhe biznesi dhe janë personalitete që hyjnë për herë të parë në parlament. 60 për qind e tyre marrim pjesë për herë të parë në garën elektorale. Ndërsa të tjerët janë politikanë të shquar me kontribut të madh në jetën politike të vendit. Nga kandidatët e PD, 46 për qind e tyre janë me grada dhe tituj shkencorë, 30 prej tyre kanë mbrojtur doktoraturën, 60 masterin, 13 mbajnë titullin e profesorit. 32 për qind vijnë nga universitetet e vendit, rektor, ish-rektor, dekanë, ish-dekanë, shefa katedrash, pedagog të shquar, ndërsa 8 për qind janë biznesmenë, ndër të cilët dhe dallëndyshet e para të biznesit shqiptar”, tha Berisha.

Takimi

Menjëherë pas prezantimit në Hotel Sheraton, të 100 kandidatët janë drejtuar për në selinë e PD-së, ku kanë marrë dhe udhëzimet e rastit nga kryetari i partisë. Burime nga mbledhja sqarojnë se Berisha u ka kërkuar kandidatëve të jenë sa më aktivë gjatë fushatës elektotrale dhe të ngjallin besim te zgjedhësit. Gjatë ditës së djeshme kandidatët për deputetë kanë plotësuar formularin që do t’i dërgohet KQZ-së. Me anë të këtij formulari personat që do të hyjnë në garën e ardhshme elektorale shprehen se e pranojnë kandidimin nën siglën e partisë që i ka përzgjedhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›