E Hënë, 2 Nëntor 2026

ODIHR analizon situatën Tri raporte para zgjedhjeve

21/05/2005  Ambasadori i ODIHR-it në Shqipëri, Jorgen Grunnet, është shprehur se gjithë procesi zgjedhor do të jetë në monitorim të vazhdueshëm me raporte të shpeshta para dhe pas zgjedhjeve. Sipas tij, “raportet e ODIHR-it do të jenë publike të hapura dhe të disponueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për institucionet, për partitë dhe për mediat. Raporti i parë do të jetë pas dy javësh; i dyti, dy javë më vonë dhe raporti i tretë do të jetë dy ose tri ditë para zgjedhjeve. Ne do të raportojmë shumë shpejt, por siç kam bërë me dije Presidentin e Republikës, Kryeministrin, kreun e opozitës dhe partive të tjera, kjo nuk duhet të konsiderohet si një grup kritikash karshi jush, por si një përpjekje miqësore për të gjithë ju dhe institucionet përgjegjëse për të parë se për çfarë keni nevojë, çfarë duhet ndryshuar dhe përmirësuar hap pas hapi në përgatitjen e zgjedhjeve të 3 korrikut. Në lidhje me atë se çfarë do të përmbajë raporti përfundimtar i ODIHR-it, Grunnet, tha se “të gjithë do të preferojnë të dëgjonin një „po“ ose një „jo“ të qartë, por ndoshta nuk është e mundur për të qenë kaq ekzakt. Ne po flasim për një operacion shumë të madh dhe një makineri të madhe gjithashtu. Në raportet e zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2003 është thënë se ka pasur progres, por nuk janë plotësuar të gjitha standardet ndërkombëtare. Dhe ky është një mesazh i qartë që do të thotë se ju kishit zgjedhje, por janë bërë hapa, por që, në fund të fundit, nuk ishin ashtu siç duhet. Shpresoj që këtë herë të jemi në gjendje të themi që zgjedhjet ishin plotësisht sipas standardeve. Por, unë nuk dua të them aktualisht asgjë për cilësinë e zgjedhjeve për të mos ndërhyrë në periudhën parazgjedhore. Mund të them se dy krahët e politikës në vend janë shprehur se kërkojnë një mesazh sa më të qartë nga ne për cilësinë e zgjedhjeve. Kjo na është kërkuar dhe nga shumë qytetarë. Unë personalisht mund të them se ne do të bëjmë më të mirën për të qenë sa më të saktë”. Ndërkohë, ODIHR ka theksuar se në zgjedhjet e 3 korrikut do të sjellin në Shqipëri rreth 400 vëzhgues. Më 4 korrik do të ketë një raport paraprak për zgjedhjet, ndërsa raporti përfundimtar do të hartohet pas disa javësh të përfundimit të procesit.

Marrë nga TVSH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›