PSD prezanton kandidatët në Vlorë
21/05/2005 Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, gjatë prezantimit të tij në zonën 93, në Vlorë, i ka bërë thirrje elektoratit të kësaj zonë që e majta të nxjerrë dy deputetë në zgjedhjet e 3 korrikut. Gjinushi ka gjetur rastin të bëjë thirrje për një pakt bashkimi mes të majtës, duke pranuar nevojën e ndryshimit. Ai ka theksuar se një ndryshim do të mund ta realizojë vetëm e majta. Sipas tij, ndryshimi që propozon Sali Berisha është një rikthim i së kaluarës. “Nëse do të shikojmë qartë, vet kandidati i Partisë Demokratike për postin e kryeministrit është një kthim mbrapa dhe jo ecje përpara”, theksoi Gjinushi. Një votë majtas, sipas tij, do të arrijë të rrisë ritmin e reformave dhe do të afrojë vendin me organizmat euroatlantike. “Partia Demokratike ka treguar se as kur ka qenë në pozitë dhe as për 8 vjet në opozitë nuk ka arritur të ndryshojë asgjë”, tha Gjinushi. Partia Socialdemokrate, sipas tij, nuk ka gjeneruar asnjëherë kriza tek e majta, por ka shërbyer për forcimin e marrëdhënieve.