Vrasja e ndërtuesit, kërkohen 25 vjet burg për Mile Çamin
Prokuroria e Fierit kërkon 25 vjet burg për Fatmir Eminin, të njohur ndryshe si Mile çami, i cili akuzohet se nëntë vjet më parë ka vrarë biznesmenin e ndërtimit, Gjergji Halo. Organi i akuzës ka kërkuar të njëjtën masë dënimi edhe për bashkëpunëtorin e tij, Bledar Yzeirin. Ngjarja për të cilën akuzohen Emini dhe Yzeiri ka ndodhur në vitin 2001, por për disa vjet kishte mbetur e pazbardhur dhe pa autorë. Në seancën e radhës, në ngarkim të dy të pandehurve për vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo, organi i akuzës së Fierit ka kërkuar në total 50 vjet heqje lirie për të dy të pandehurit.
Organi i akuzës së Fierit, që në këtë proces përfaqësohet nga prokurori çlirim Sino, në seancën e së martës ka dhënë pretencën. Gjatë leximit të saj, prokurori Sino ka theksuar se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme ligjore, që vërtetojnë se Mile çami dhe shoku i tij, Bledar Yzeiri, nëntë vjet më parë kanë vrarë biznesmenin e ndërtimit. Vendimi pritet të merret javën e ardhshme.
Në më shumë se 22 seanca gjyqësore, Fatmir Emini ka qenë i pranishëm në gjyq, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse ai ka pranuar përfundimisht vrasjen e Gjergji Halos. Edhe gjatë dhënies së pretencës, 55-vjeçari është prurë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Milja është përfaqësuar gjatë këtij gjykimi me avokatët e Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Sokol Zotaj dhe Sazan Aliko, ndërsa bashkautori i tij, Bledar Yzeiri, i cili gjykohet në mungesë, përfaqësohet nga dy avokatë të Dhomës së Avokatisë së Fierit.
Fillimisht organi i akuzës ka paraqitur 20 dëshmitarë, të cilët kanë dëshmuar në gjykim e sipër lidhur me vrasjen e biznesmenit Gjergji Halo. Por numri i dëshmitarëve është rritur gjatë 11 muajve që ka zgjatur procesi i gjykimit.
Krimet e Mile çamitFatmir Emini është duke vuajtur dënimin për vrasjen e "Loshit të Karbunarës”, për hakmarrje. Gjithashtu, pas arrestimit të tij, Milja ka rezultuar të jetë autor edhe i vrasjes së Xhevrie Cakës, nënës së Lul Cakës, të njohur si i tmerrshmi i Beratit, ndërkohë që në dhjetorin e vitit 2008, policia e Fierit, pas zbardhjes së një prej ngjarjeve të vjetra, nxori se Fatmir Emini është autor i vrasjes së Gjergji Halos, vrasje të cilën ai e ka kryer në bashkëpunim me Bledar Yzeirin. Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik të vitit 2001 dhe për shumë vite vrasja e 47-vjeçarit Halo, i cili u qëllua me pistoletë në lagjen “29 Nëntori” të Fierit, kishte mbetur e pazbardhur. Një letër nga qelia e tradhtoi përfundimisht Milen, i cili në vitin 2001, pas vrasjes së Gjergji Halos, ishte ndaluar për tri ditë. Burime nga grupi i hetimit tregojnë se Milja ka qenë organizatori i vrasjes së Halos, ndërkohë që ekzekutor dyshohet se ka qenë Bledar Yzeiri.
#