Tirana, festë mes alkoolit pas triumfit në Shkodër me Vllazninë
Arsye për të festuar kishte shumë dhe lojtarët e Tiranës nuk janë "kursyer". Fitorja 1-0 e arritur të premten në "Loro Boriçi" përballë Vllaznisë i ka rikthyer në garën për titull, humori në ambientin e kampionëve në fuqi është ngritur dukshëm, ndërkohë që tri pikët me rivalët historikë kanë sjellë edhe paqen me tifozët. Menjëherë pas kthimit në kryeqytet, futbollistët bardheblu janë shpërndarë nëpër "pub"-e dhe lokalet e natës, duke festuar mes "lumit" të alkoolit. Të paktën për një ditë ata kishin të drejtë të gëzoheshin dhe kjo ka bërë që stafi teknik i drejtuar nga trajneri Alban Tafaj dhe ndihmësi i tij, Nevil Dede, të mbyllte një sy. Dyshja e stolit nuk e ka prishur festën e skuadrës së shpërndarë nëpër lokalet më "trendy" të ish-Bllokut, megjithatë kjo nuk do të thotë se është harruar impenjimi i radhës në Kupë me Luzin. Të mërkurën e ardhshme, Tirana duhet të përmbysë humbjen 3-1 të ndeshjes së parë dhe Tafaj nuk kërkon të rrezikojë. Përkundrazi, ai konfirmon se do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, pasi edhe ky trofe është një prej objektivave sezonalë të klubit. Tekniku ka përdorur edhe fjalët "t‘i japim një mësim të mirë Luzit", duke treguar se skuadra e tij do të kërkojë fitoren me goleadë, si mënyrë hakmarrjeje për humbjen e turpshme të regjistruar më 21 tetor. "Në lojë është kualifikimi për në turin tjetër dhe natyrisht që nuk mund të rrezikojmë duke aktivizuar të rinjtë. Do të luajmë me titullarët dhe kërkoj që ndeshja të zgjidhet sa më shpejt. Shpresojmë që të kemi edhe mbështetjen e madhe të tifozëve, të cilëve u konfirmuam në takimin me Vllazninë se nuk jemi dorëzuar dhe do ta vazhdojmë garën deri në fund", shtoi drejtuesi i stolit të 24 herë kampionëve.
e. kodheli
e. kodheli