E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historiku i telasheve të Rooneyt

Wayne Rooney u përjashtua me karton të kuq në barazimin e Anglisë me Malin e Zi të premten në Podgoricë, 2-2. Sulmuesi i Manchester Unitedit sërish është në qendër të vëmendjes për sjellje të pahijshme në fushë. Por, kjo nuk ishte hera e parë për të. Ai tashmë ka një historik të gjerë telashesh.

Wayne Rooney është sërish në qendër të vëmendjes pas përjashtimit të tij me Anglinë në ndeshjen e tyre të fundit të fushatës kualifikuese për Euro 2012 kundër Maqedonisë. Por, ky nuk është incidenti i parë e më gjasë as i fundit që përfshin sulmuesin e Manchester Unitedit. Ky është një historik i telasheve në të cilat është futur Rooney, gjithnjë nga fusha.

2004

Nëntor: U zëvendësua pas 42 minutave në miqësoren e Anglisë kundër Spanjës në Madrid, pas një serie të ndërhyrjeve të pakujdesshme. Ai shau në drejtim të pankinës para se të hidhte në tokë një shirit të kuq të bartur në përkujtim të Emlyn Hughes.

2005

7 shtator: Në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin botëror 2006 kundër Irlandës së Veriut në Belfast u kacafyt me Keith Gillespien para se të shante David Beckhamin dhe të shtynte Rio Ferdinandin.

14 shtator: U përjashtua pasi i duartrokiti gjyqtarit që e kishte ndëshkuar me karton të verdhë, pas një ndërhyrjeje të paqëllimshme ndaj një kundërshtari në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Villarrealit.

2006

1 korrik: U përjashtua në çerekfinale të Kampionatit botëror kundër Portugalisë, pasi shkeli mbrojtësin Ricardo Carvalho e më pas e shtyu bashkëlojtarin e tij të atëhershëm nga Manchester United, Cristiano Ronaldo.

4 gusht: U përjashtua në takim kundër Portos në Amsterdam Tournament, pasi qëlloi me bërryl mbrojtësin Pepe. Ai më pas u dënua me tri ndeshje moslojë nga Federata angleze e Futbollit.

2008

Tetor: Pas rikthimit në Goodison Park, Rooney e puthi shenjën e Manchester Unitedit në fanellën e tij, reagim për tifozët e hidhëruar të Evertonit. Pas ndëshkimit me karton të verdhë, Rooney u zëvendësua nga Sir Alex Ferguson.

2009

Mars: Në shenjë dëshpërimi e shutoi topin dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, derisa Manchester United ishte në disavantazh 2-0 në Fulham. Rooney fyeu në drejtim të gjyqtarit Phil Dowd para se të shqelmonte flamurin e kornerit, derisa ishte duke dalë nga fusha.

2010

7 qershor: Në ndeshjen e fundit përgatitore të Anglisë për Kampionatin botëror kundër Platinium Stars, Rooney ishte akuzuar se shau gjyqtarin. Ai kërkoi falje pas ndeshjes dhe i dhuroi gjyqtarit fanellën e tij.

18 qershor: Tha “është mirë të dëgjoni vërshëllima nga tifozët e juaj” para kamerave televizive pas barazimit dëshpërues pa gola mes Anglisë dhe Algjerisë në Kampionatin botëror.

2011

26 shkurt: E qëlloi me bërryl futbollistin e Wiganit, James McCarthy gjatë fitores së Manchester Unitedit me rezultat 4-0 në DW Stadium. Menaxheri i Wiganit, Roberto Martinez, tha se Rooney është dashur të përjashtohej, por sulmuesi anglez i shpëtoi dënimit pasi gjyqtari Mark Clattenburg i tha Federatës angleze se nuk e kishte parë incidentin.

4 prill: Shan në drejtim të kamerave pas realizimit të het-trikut në fitoren e Manchester Unitedit 4-2 në West Ham. U hetua nga Federata për “përdorimin e gjuhës ofenduese dhe fyerjeve” dhe mungoi në humbjen nga Manchester City në gjysmëfinale të FA Cup.

7 tetor: Anglia ishte në epërsi 2-1 në Mal të Zi, ndërsa Rooney pa nevojë goditi nga prapa Miodrag Dzudovicin dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke u bërë vetëm futbollisti i dytë i Anglisë – pas David Beckhamit – që u përjashtua dy herë. Kjo nënkupton se ai do të mungojë në fillimin e garës në Euro 2012. Ndeshja përfundoi 2-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›