E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja harron të fitojë edhe brenda, këtë radhë e ka me gjykimin

Nga Julian Kasapi

Lushnja Besëlidhja          1-1

Shënues: Topi 50 / Miliç 24

Lushnja: Bejte, Mërtiri (Metushi 72), Sula, Sulo, Bufasi, R.Sula (Ruço 62), Dervishi (Gjoni 35), Topi, Byzhyti, Allkanjari, Canka. Trajner: R. Baballëku.

Besëlidhja: Xhika, Kepi, Gruda, Shytani, Peqini, Shyti (Malasi 46), Pepaj, Miliç (Duraku 92), Trajkoviç, Gavriloviç (Mehja 65), Dibra. Trajner: R. Kulli.

Gjyqtarë: B. Pashaj, D. Agaraj (Tiranë), R. Preca (Elbasan)

Kartonë të verdhë: Gjoni, Canka, Shytani, Peqini, Xhika

Lushnjarët kanë humbur dy pikë të tjera në shtëpi, teksa kanë barazuar 1-1 me Besëlidhjen kryesuese. Një takim mjaft dramatik ky për lushnjarët, të cilët, përveç paraqitjes së dobët si skuadër, vjen momenti të përballen edhe me gjykimin, që, sipas tyre, ishte i padrejtë. Terreni mjaft i vështirë i detyron skuadrat të jenë të vëmendshme në fillimin të lojës, duke studiuar njëra-tjetrën. Rasti i parë për lushnjarët do të vinte në minutën e 10-të me Cankën, që nuk ka shënjestrën e duhur para Xhikës. Pas 4 minutash vjen prekja e parë e topit me dorë nga lezhjanët në zonën e tyre, por vazhdon lojën kryesori Pashaj. Më pas, Trajkoviç nga distanca vë në provë Bejten, që është në pozicion. Në të 16-ën ka përsëri një prekje me dorë nga mbrojtësit e Besëlidhjes në zonë, por gjyqtari nuk ka shikim të pastër dhe vijon lojën. Topi gjuan nga distanca, por topi përfundon ngjitur me shtyllën pingule. Pikërisht një minutë më pas, në të 24-ën, Miliç i shpëton mbulimit të mbrojtjes lushjnare dhe arrin ta kalojë në avantazh Besëlidhjen. Kundërpërgjigjen lushnjarët me anë të Dervishit, por ai nuk ka shenjë nga distanca. Deri në fund të pjesës së parë është Lushnja që sulmon, por ka një hendek mes mesfushës dhe sulmuesve Allkanjari e Canka. Aq shumë e duan golin e barazimit vendësit, saqë lënë hapësira prapa dhe në fund të kësaj pjese Miliç nuk e ndjek topin dhe fal golin e dytë, sepse Bejte kontrollon. Pjesa e dytë është më me grintë për të dyja skuadrat, pavarësisht terrenit të vështirë nga reshjet e shiut. Eshtë Trajkoviç, i cili provon që në fillim nga distanca, por Bejte është i vëmendshëm. Fatjon Topi barazon shifrat në minutën e 50-të, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij. Ai dërgon në rrjetë një top të kthyer nga mbrojtja, pasi Gjoni kishte ekzekutuar goditjen e dënimit. Pas golit lushnjarët marrin kontrollin e lojës dhe dominojnë, por nuk arrijnë te goli. Në fakt, shënohet një i tillë nga Byzhyti, por, sipas gjyqtarit Pashaj, më parë Bufasi ka shkaktuar faull. Nuk ka fat përsëri Byzhyti në të 60-ën, kur devijon me kokë ngjitur me traversën nga një goditje këndi. As Canka nuk shënon më pas, kur gjuan bukur në zonë, por gjen të gatshëm Xhikën. Në minutat e fundit të shtesës (4), Canka rrëzohet në zonën kundërshtare, pasi zotëron topin dhe ka përparësi ndaj kundërshtarit, por nuk ka 11-metërsh për Pashajn. Sipas lushnjarëve, ai u ka mohuar 2 pikë në këtë ndeshje.

Trajnerët

Ramadan Baballëku, trajner i Lushnjës: Nuk u prononcua.

Ritvan Kulli, trajneri i Besëlidhjes: Skuadra ka bërë detyrën, duke i marrë një pikë Lushnjës, për të cilën më vjen keq që ndodhet në këto pozita. Megjithatë, djemtë luajtën në mënyrë korrekte, edhe pse terreni ishte mjaft i rënduar. Sa për skuadrën time, mbetemi pretendentë.

Lushnjarët replikojnë me të deleguarin Pregja

Dy prekje të topit me dorë në zonë nga lezhjanët nuk janë vënë re nga kryesori Pashaj: një gol i anuluar pa asnjë shkak dhe një penallti e mohuar në fund, kur Canka është tërhequr dhe është rrëzuar në zonë, ndërkohë që kishte kontrollin e topin. Këto janë argumentet që sjellin përfundimin se gjykimi ishte në favor të miqve nga Lezha. Asnjë fjalë nga stafi teknik, ndërkohë që futbollistët lushnjarë kanë replikuar ashpër pas ndeshjes me Bujar Pregjën, të deleguarin e FSHF-së në këtë takim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›