E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, Rama: Do dyfishojmë buxhetin për fshatin

Takim me Vullnetaret e PS ne qytetin e Gramshit
Qyteti i Gramshit, ishte dje turi i radhës elektoral të  kryetarit të Partisë Socialiste me Vullnetarët e Bashkimit të ri për ndryshim.  Një qytet i cili vuan një papunësi, varfëri dhe harresë nga qeverisja. Një qytet ku ilaçi më i mirë për rininë e tij është kalimi i kufirit për të punuar në tokat e shteteve fqinjë pasi nuk ka asnjë mbështetje për të gjeneruar punësimin. Në këtë takim masiv me të rinjtë të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrjetit të vullnetarëve të Partisë Socialiste, lideri i opozitës, Rama është përqendruar tek trajtimi i barabartë i shtetasve, jo thjesht dhe vetëm para ligjit, por mbi të gjitha para mundësive për punësim dhe mirëqenie qofshin ata në veri apo në jug, qofshin në qytet apo në fshat. Qeveria e fitores së 28 qershorit do të bëjë më shumë se të gjitha qeveritë e këtyre 18 viteve të marra së bashku për të garantuar ushqimin normal të familjeve shqiptare duke luftuar me ide të reja e vullnet të ri në radhë të parë për bujqit e fermerët shqiptarë. Ne s'do ta lemë fshatin shqiptar jashtë horizontit të vëmendjes së parlamentit dhe jashtë listës së punëve të qeverisë, po do ta bëjmë kryefjalë të punës sonë,- u shpreh Rama. Duke vënë theksin tek rimëkëmbja e fshatit si një ndër mundësitë për të siguruar çmime të përballueshme në qytet, dhe mirëqenie në fshat, Kryetari i PS, Edi Rama ka bërë premtimin për dyfishim të buxhetit që shkon në mbështetje të fshatit. Në katër vitet e ardhshme ne do të dyfishojmë buxhetin e shumëfishojmë forcat për zhvillimin e fshatit për rimëkëmbjen e bujqësisë e blegtorisë, për rindërtimin e rrugëve që zhvillojnë ekonominë rurale, për përmirësimin rrënjësor të shërbimit arsimor e shëndetësor në zonat rurale,- tha Rama. Gjatë këtij takimi në Gramsh Kryesocialisti u shpreh se njerëzve pa pushtet në Shqipëri që duan punë, rrugë, shpresë, nuk u intereson pushteti, po rezultatet e qeverisjes. Dhe qeverisja e re pas 28 qershorit do të bëjë të mundura shumë gjëra që sot duken të pamundura në këtë vend. Ai u shpreh se problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura përtej dasive partiake që politika e vjetër i ushqen prej 18 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, u ka futur grindjet dhe tifozllëkun e verbër partiak, pikërisht sepse është e paaftë t'i zgjidh problemet. Qytetarët e këtij vendi, tha kryesocialisti Rama nuk kanë më nevojë për një politikë që t'ju jap arsye për t'u ndarë. Qytetarët e qytetaret e këtij vendi, vijoi ai kanë nevojë për një politikë që t'ju jap arsyen për t'u bashkuar dhe për të kthyer faqen e dasisë 18-vjeçare. Politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, është rënia e barrikadës së interesave personale, klienteliste, nepotike, partiake, që politikanët kanë ngritur pushtet me ata që i çojnë në pushtet, me njerëzit,- u shpreh Rama.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›