Kodheli: Qeveria mbulon mëkatet e veta në kurriz të Bankës Botërore
Partia Socialiste e ka quajtur një turp dhe një skandal të madh deklaratën e qeverisë shqiptare ndaj Bankës Botërore për projektin e bregdetit të Jalës. Sipas PS, Berisha po mbulon aferën korruptive të qeverisë së tij, duke ia hedhur të gjithë fajin mbi kurriz Bankës Botërore. Ky reagim i Partisë Socialiste vjen ditën e djeshme nga zëdhënësja e saj, Mimi Kodheli.
Ajo tha se menaxhimi skandaloz lidhet me qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha dhe me njësinë e menaxhimit të projektit të drejtuar nga dhëndri i Sali Berishës. Kush ka sy shikon. Kush ka vesh dëgjon,- u shpreh Kodheli. Dhe shqiptarët, tha ajo jo vetëm shohin e dëgjojnë më mirë se c'kujton Sali Berisha që i gënjen çdo ditë, por edhe do votojnë në 28 qershor ashtu siç nuk ia rrok mendja Sali Berishës.Na vjen turp për reagimin e shëmtuar, sa qesharak aq rrëqethës, të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së Bankës Botërore për menaxhimin e konsideruar skandaloz të projektit të bregdetit. Na vjen turp për nivelin mizerabël me të cilin kjo qeveri e korrupsionit e përfaqëson Shqipërinë në raport me botën e përkatësisht me Bankën Botërore,- u shpreh Kodheli. Na vjen turp që qeveria, tha Kodheli jo vetëm nuk merr përgjegjësinë e saj të pambulueshme për menaxhimin skandaloz të projektit, por përpiqet të mbulojë mëkatin e vet duke akuzuar Bankën Botërore, madje edhe opozitën.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1