E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramshi kërkon ndihmën e donatorëve për sezonin e ri

Nga Artan Paja

Drejtues të lartë të klubit gramshiot janë duke kërkuar ndihmën e donatorëve të qytetit, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm. Nga burime të sigurta pranë bashkisë, mësohet se ftesa për bashkëpunimin do të bëhet në kuadër të garantimit të sezonit të ardhshëm, ndërsa biznesi vendës do të ketë lehtësime në taksat vjetore. Ideja për një mbështetje të fuqishme nga ana e donatorëve të qytetit vjen si rrjedhojë e rakordimit, por edhe sensibilizimit në masë të gjerë për të interesuar në futboll. ”Jemi duke përpiluar një listë të gjatë për gjithë aktivitetet private, që operojnë në krahinën e Gramshit dhe të gjithë bizneset që janë të regjistruar pranë bashkisë sonë. Gjithçka bëhet për një qëllim të mirë, siç është ndihma që ata duhet ti japin futbollit dhe skuadrës së sezonit të ardhshëm. Do të fokusohemi te biznezi i madh dhe ai i mesëm, duke u dërguar një sinjal sensibilizimi të gjithë të interesuarve të futbollit tonë. Shpresojmë në mirëkuptimin e gjithë atyre që duan ti japin një ”dorë” të fortë skuadrës së futbollit, për të garantuar një sezon të qetë dhe me synime të qarta, – u shpreh për Sportin shqiptar nënkryetari i bashkisë, Enver Qose. Gramshi është ”trumpetuar” shpesh si një skuadër e shëndetshme financiarisht, por duket se kriza ekonomike e ka përfshirë atë kokë e këmbë. Gjatë vitit 2012, Këshilli Bashkiak miratoi plot 13 milionë lekë për sportet, veçanërisht për futbollin, duke i shtuar kësaj shifre edhe 4 milionë lekë të prapambetura nga sezoni i kaluar. Por, duket se jo çdo gjë ka qenë e lehtë për skuadrën gramshiote. Takimi me donatorët e rrethit shihet si mundësia e vetme i një bashkëpunimi reciprok.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›