Rroca kthehet te Tërbuni, afrohet edhe Çerepi
Nga Erjon SALIU
Dita-ditës po shtohen radhët e futbollistëve te Tërbuni. Nën urdhrat e dyshes Dalipi-Selenica është vënë edhe një nga titullarët e sezonit të kaluar, mesfushori Eduart Rroca, i cili luajti me pukjanët fazën e dytë, pas një eksperience me Egnatian. Lushnjari Rroca ka kontratë dyvjeçare me presidentin Petrit Syla, pasi shihet si një lojtar me perspektivë.
Çerepi Afrimi i fundit i skuadrës pukjane mund të jetë mbrojtësi Edmond Çerepi. 25-vjeçari e ka nisur karrierën te Flamurtari, ku është aktivizuar në Superligë, ndërkohë që ka provuar të luajë me Apoloninë, Bylisin dhe Kamzën. Çerepi luan në qendër të mbrojtjes dhe në rolin e shkatërruesit, kështu që eksperienca e tij mund ti shërbejë Tërbunit sezonin e ardhshëm. Ai ka ka rënë parimisht dakord me drejtuesit pukjanë dhe ka pranuar me kënaqëi të kontribuojë për Tërbunin në Kategorinë e Parë. Megjithatë, do të vendosë trajneri Dalipi me presidentin Syla, pasi të kenë parë gjendjen e lojtarit, por edhe parametrat financiarë.
Miqësore Sipas kontratës që ka firmosur presidenti Petrit Syla, vetëm ditën e hënë Tërbuni do të fillojë punën me topin në ish-kompleksin Dinamo. Në mesin e javës tjetër pritet që të zhvillohet edhe miqësorja e parë, ku me shumë mundësi kundërshtar do të jetë Kukësi, që debuton në Superligë sezonin e ardhshëm.
