Granata dhe plumba për të kapur terroristin e Toulouse

Mohamed Merah
Aksioni zgjati mbi 30 orë, Mohamed Merah vritet i rrethuar nga 300 policë.
Vrasësi serial në Toulouse të Fra-ncës, që tronditi vendin dhe gjithë botën me sulmet e tij një muaj para zgjedhjeve presidenciale, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në një sulm që zgjati mbi 30 orë. Merah u qëllua në fund të një beteje të gjatë të enjten; ai u gjurmua nga policia në lidhje me vrasjen e shtatë personave gjatë dhjetë ditëve të fundit. Ka vizituar dy herë kufirin afgano-pakistanez në vitet 2010 dhe 2011. Pasi u identifikua në Toulouse për vrasjet e fundit, ai pohoi se ishte trajnuar nga Al Kaeda, sipas zyrtarëve francezë. Prokurori i Parisit, Fransua Molins, tha të mërkurën se ai ka udhëtuar për në Afganistan pa përdorur rrjetet që njihen nga shërbimet sekrete franceze dhe të huaja. Por Merah ra në sy të shërbimeve sekrete pasi shkoi atje. Gjatë udhëtimit të parë në Afganistan policia afgane kontrolloi kartën e tij të identitetit dhe, si rezultat, ai iu dorëzua trupave amerikane, të cilët e hipën në avion dhe e kthyen në Francë, sipas Molins. Merah ka qenë nën mbikëqyrjen e shërbimeve sekrete franceze e, megjithëkëtë, ai ka arritur ta vizitojë kufirin afgano-pakistanez edhe një herë tjetër, ka mbledhur armë pasi u kthye në shtëpi, përfshirë një pistoletë mekanike Uzi dhe një çifte, dhe planifikoi një sërë sulmesh në Toulouse dhe Montauban, duke e detyruar qeverinë franceze të rriste masat e sigurisë në të gjithë vendin. Fillimisht ai kishte qëlluar nga porta kryesore e apartamentit, por më pas ka negociuar me policinë duke premtuar se do të dorëzohej dhe se nuk donte të vdiste. Pasditen e së mërkurës ai ndryshoi taktikë duke iu thënë se ai donte të vdiste si Muxhahidin, me armë në dorë, dhe nuk do të shkonte në burg. Fqinjët e tij kishin mbetur të befasuar mbi dramën në rrethinat e shtëpive të tyre, pasi ai njihej si lojtar amator futbolli, frekuentonte klubet e natës dhe nuk dukej si fetar apo i përfshirë në politikat radikale. Merah i kishte regjistruar dhe postuar në internet sulmet e tij. Më tronditësi ishte ai kur kishte kapur vajzën tetëvjeçare hebreje nga flokët dhe e kishte qëlluar në kokë, ndërsa udhëtonte me shpejtësi me motorin e tij.
Aksioni
Komandot elitë ishin në gatishmëri që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës për arrestimin e Mohamed Merah, duke qëlluar e duke shpërthyer eksplozivë herë pas here deri paraditen e së enjtes, ndërsa përpiqeshin ta nxirrnin të armatosurin jashtë shtëpisë që ta arrestonin. Ata arrestuan vëllain dhe të dashurën e tij të mërkurën, të cilët njëlloj si Merah, ishin në regjistrin e personave me bindje radikale islamike. I rrethuar nga 300 policë, Merah kishte qëndruar i heshtur dhe pa emocione për 12 orë, deri në momentin kur komandot kishin menduar të hynin brenda në apartament. Ai plagosi dy efektivë policie. Mohamed Merah, francez me origjinë algjeriane, vdiq nga plumbat e marrë në kokë në fund të një beteje 30-orësh me policinë për dorëzimin e tij në një apartament në Francën Jugore dhe pasi kishte pranuar autorësinë e vrasjes së tre ushtarëve, tre fëmijëve hebre e një rabini. Ai po i qëllonte policët me një pistoletë Colt 45, ndërsa ishte ngjitur nga dritarja e tij në verandë dhe ishte hedhur poshtë 1.5 metra, sipas prokurorëve dhe policisë. Në momentin që një sondë me kamera ishte futur në tualetin e tij nga ku ai po qëllonte, ai kishte dalë jashtë duke qëlluar me akoma më shumë dhunë, tha ministri i Brendshëm, Klod Gueant, duke shtuar se në fund, Mohamed Merah kërceu nga dritarja me armën e tij në dorë duke vazhduar të qëllonte. Ai u gjet i pajetë në tokë.
Prokurori Fransua Molins tha se Merah ishte strehuar në tualet, kishte veshur një jelek antiplumb nën veshjen e tij tradicionale të zezë, djellaba, ndërsa policia hyri në shtëpinë e tij duke hedhur granata. Komandot francezë kishin shpërthyer tri eksplozivë pak para mesnatës së të mërkurës, duke hedhur në tokë derën kryesore të ndërtesës dhe duke hapur një vrimë në mur, pasi u bë e qartë se Merah nuk do të dorëzohej. Ata qëlluan në ajër pothuajse çdo orë dhe e shtuan sulmin afër agimit duke përdorur granata.
Precedenti i Gjergj Saulit
Impakti që krijoi menaxhimi i kësaj situate nga Presidenti e ka çuar atë para në sondazhe për herë të parë në disa muaj, kundrejt rivalit socialist, Fransua Hollande. Të enjten në mëngjes, sondazhet e para për zgjedhjet presidenciale që nga të shtënat në shkollë, tregonin se Sarkozi ishte dy pikë para Hollande, përsa i përket raundit të parë të votimit, më 22 prill, edhe pse Hollande ende ishte para me tetë pikë për raundin e dytë të 6 majit. Stili i qeverisjes së Sarkozisë është komentuar shpesh si i ashpër, impulsiv dhe përveç problemeve ekonomike, ky ka qenë një ndikues për jopopullaritetin e tij në Francë.
Qëndrimi i Sarkozisë
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se vrasjet e Merah ishin sulme terroriste dhe njoftoi se të gjithë personat që vizitonin faqet ekstremiste në internet do të ndiqeshin penalisht. Që tani e tutje, çdo person që konsulton faqe që provojnë terrorizmin, do të ndëshkohet. Franca nuk do të tolerojë indoktrinimin ideologjik në tokën e saj, tha Sarkozi në një deklaratë. Sarkozi tha se do të nisë një hetim nëse në burgjet franceze përdoret propagandë ekstremiste dhe u kërkoi njerëzve të mos kërkonin hakmarrje.