E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granata e 1997-ës vret bariun 12-vjeçar

Armët e shpërndara që nga viti 1997 vazhdojnë të vrasin. Një djalë 12 vjeç ka humbur jetën të mërkurën në mbrëmje teksa luante me një granatë luftarake. Burime nga policia lokale bënë të ditur se Renaldo Artan Goxhaj, nga fshati Luftinjë i Rrethit të Tepelenës, 12 vjeç, është gjetur i pajetë nga bashkëfshatarët në një lëndinë malore të fshatit. Sipas dëshmitarëve që e kishin parë, pesë minuta para se të ndodhte shpërthimi vdekjeprurës, 12- vjeçari Renaldo Goxhaj është gjetur në mes të disa shkurreve, afër grykëderdhjes së përroit të fshatit, pa duar dhe me një shenjë të qartë plage në pjesën e sipërme të kraharorit. Ashtu siç ishte, i bërë copë-copë, fëmija është marrë në duar nga tre persona, njëri prej të cilëve bashkëmoshatar dhe është çuar në banesën e prindërve. Babai i viktimës, Artan Goxhaj, e kishte dërguar djalin si çdo pasdite për të kullotur bagëtitë. Një granatë e braktisur në një vend paksa të izoluar, duket se i ka tërhequr vëmendjen bariut të vogël, i cili e ka marrë në dorë. Mendohet se viktima, pasi e ka marrë granatën defensive, ka kontrolluar pjesën e poshtme të saj në tentativë për të lokalizuar siguresën, por për këtë shkak ka ndodhur shpërthimi, që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme fëmijës. Pas ngjarjes së ndodhur, në Luftinjë ka mbërritur një grup hetimor i Komisariatit të Policisë së Tepelenës, ku ka bërë këqyrjen e vendit, prej të cilës rezultoi se granata ka qenë e vjetër me një konsum prej 11 vjetësh. Materiali shpërthyes mendohet të ketë qenë i fshehur si mjaft granata të tjera në Luftinjë, gjatë periudhës së trazuar të vitit 1997.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›