E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbimi i gruas me foshnjën, policia dyshon për improvizim

Policia e Fierit ka dyshime të forta se zhdukja për 11 orë e një nëne 34-vjeçare me vajzën e saj 3 vjeçe nuk ka qenë një pengmarrje, por një improvizim i vetë "të rrëmbyerës". Burimet zyrtare të policisë së Fierit bërë të ditur dje se nuk bëhet fjalë për pengmarrje, por nga grupi i hetimit deklarohet se kjo pistë nuk është rrëzuar plotësisht, por ka kaluar në rend të dytë, pasi dyshimet më të forta janë për një improvizim të pengmarrjes nga ana e 34-vjeçares Marjeta Koroveshi. "Zhvillimi i hetimeve të policisë së Fierit dhe Postës së Policisë së Patosit ka mundur të zbulojë se nëna e katër fëmijëve Marjeta Koroveshi dhe vajza e saj nuk janë marrë peng nga asnjë person, por gjithçka është organizuar nga vetë gruaja". Kjo është deklaruar zyrtarisht me anën e një komunikate për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Zëdhënësja e policisë, Valbona Meço, tha se "me rastin e 34-vjeçares Marjeta Koroveshi nuk kemi të bëjmë me një pengmarrje, por me një alibi rrëmbimi që është organizuar nga vetë ajo".

Zhdukja

Zëdhënësja e policisë së Fierit sqaroi se rreth orës 13:30 të së martës, në Drejtorinë e Policisë Fier është paraqitur për të bërë një kallëzim penal shtetasi Gëzim (Qani) Koroveshi. Ai ka thënë se bashkëshortja ishte zhdukur bashkë me vajzën e vogël, që nga ora 10 e mëngjesit dhe se pas kësaj ore, nga numri i saj i telefonit dikush i ka kërkuar një shumë prej 2 milionë lekësh të reja, në këmbim të lirimit të gruas dhe vajzës. Gjithashtu, bashkëshorti i 34-vjeçares ka thënë se prej më se një muaji i futeshin poshtë derës së shtëpisë letra me anë të të cilave i kërkoheshin 2 milionë lekë, pasi përndryshe do t‘i rrëmbenin gruan dhe fëmijët. Një letër e tillë është dërguar edhe ditën kur 34-vjeçarja u zhduk për 11 orë.

Hetimet

Policia ka organizuar punën e shërbimeve speciale menjëherë pas denoncimit dhe rreth 11 orë pas zhdukjes së 34-vjeçares ka mundur ta gjejë atë në varrezat e lagjes së re të Patosit, së bashku me vajzën 3 vjeçe. Por, nga hetimet paraprake dhe provat shkencore të administruara, policia ka arritur në përfundimin se shtetasja Marjeta Koroveshi nuk është rrëmbyer dhe se të gjitha letrat me përmbajtje kërcënuese për bashkëshortin e saj, janë shkruar e nënshkruar nga vetë ajo. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur gjithashtu se 34-vjeçarja është gjetur e lidhur në një pemë ulliri dhe litari me të cilën ishte lidhur ajo dhe vajza është dërguar në laborator për gjetjen e ndonjë gjurme të ndonjë bashkëpunëtori të Marjeta Koroveshit në këtë pengmarrje të stisur. Zyrtarisht, deklarohet se po hetohet për gjetjen e shkakut të kësaj ngjarjeje, qoftë ajo me autor të tjerë apo me vetë 34-vjeçaren. Mësohet se mes bashkëshortëve Koroveshi nuk ka pasur mosmarrëveshje. Vetë 34-vjeçarja ka këmbëngulur para policëve se e kanë rrëmbyer, por versioni i dhënë prej saj nuk ka qenë bindës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›