Plagoset me armë zjarri një 17-vjeçar
Një ngjarje jo e zakonshme është shënuar në orët e mbrëmjes së të mërkurës në Kukës. Një sherr mes dy shokëve lidhur me një borxh në disa qindra mijë lekë, ka rrezikuar të shndërrohet në tragjedi. Kreshnik Laçi, 29 vjeç nga Kukësi, me banim në Tiranë dhe Mentor Ferati, 23 nga fshati Bardhoc i Kukësit, kanë debatuar gjatë lidhur me borxhin që Mentori ia detyronte Kreshnikut. Në grindje e sipër Mentori i merr armën që Kreshniku mbante në brez dhe qëllon ndaj tij, pa mundur ta shënojë, por duke plagosur në këmbën e djathtë të vëllain e tij, T. Laçi, 17 vjeç, i cili pas mjekimit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kjo ngjarje ka alarmuar policinë lokale. Burime të policisë bëjnë të ditur se ndaj 23-vjeçarit Ferati është hapur dosja penale, ku akuzohet për plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje sipas nenit 278/2, 76 dhe 22 të Kodit Penal. Armëmbajtja pa leje përbën dukurinë më shqetësuese për komunitetin e Kukësit, ku të rinjtë shpesh imitojnë kaubojt e shekullit të shkuar.