E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granatë vëllait për shtëpinë

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Grindja ndërmjet dy vëllezërve se cili do të merrte shtëpinë e nënës së moshuar, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Tomorr Zeqo nga Ura Vajgurore pas një konflikti disaditor i hodhi një granatë vëllait të tij, Andon Zeqo, por përfundoi vetë i lënduar.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, kur dy vëllezërit u takuan tek hyrja e pallatit të nënës së tyre, e cila jetonte e vetme, në të njëjtin qytet me djemtë e saj të martuar. Shpërthimi i granatës terrorizoi edhe banorët e pallatit, të cilët lajmëruan uniformat blu. Policia e Beratit bëri të ditur se është arrestuar 37-vjeçari Tomorr Zeqo. Mësohet se babai i dy fëmijëve prej kohësh ishte në konflikt me të vëllain 40-vjeçar, se cili prej tyre do të merrte në kujdestari nënën 75-vjeçare, Lutfije Zeqo, e për rrjedhojë edhe shtëpinë e saj. Nëna e dy djemve jetonte në lagjen “18 tetori” të qytetit të Urës–Vajgurore në katin e tretë të një pallati. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 08:00. Dëshmitarët që panë skenën nga larg deponuan në polici se vëllezërit Zeqo ishin grindur në hyrje të pallatit ku jetonte nëna e tyre. Ata janë zënë fillimisht me grushte e shkelma. Por ngjaja precipitoi më rëndë, kur Tomorr Zeqo nxori nga xhepi një granatë duke sulmuar të vëllain. Në momentin që autori po hiqte siguresën e granatës, vëllai i tij ka mundur të largohet e të futet tek pjesa e brendshme e pallatit. Në tentativë për t’ia hedhur të vëllait granatën, 37-vjeçari është plagosur më shumë vetë. Sipas policisë, viktima e mundshme i ka shpëtuar mrekullisht shpërthimit të granatës. Ai ka pësuar vetëm ca tronditje të lehta. Ndërsa autori i krimit, Tomorr Zeqo, nuk ka mundur të largohet në kohë nga rrezja e veprimit të granatës, e për pasojë ka marrë disa plagë, të cilat mësohet se jaën të rënda, por nuk i rrezikojnë jetën. Pasi mori mjekimet e duhura, 37-vjeçari u arrestua nga policia me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Burime të policisë bënë të ditur se gjatë transportit për në spital të Tomorr Zeqos, iu gjetën në trup edhe dy granata ofensive si dhe një thikë e madhe. Policia dyshon se autori ishte përgatitur për një atentat të mundshëm ndaj të vëllait Andon Zeqo. Blutë morën në pyetje edhe nënën e dy vëllezërve. Por 75-vjeçarja ka mohuar të ketë qenë në dijeni të konfliktit të djemve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›