Lëshohet pas dy vitesh në det breshka “Enki”
VLORE – Breshka e rrallë e mbajtur prej dy vitesh në rezervatin e një prej hoteleve të Orikumit është lëshuar dje në det. E pagëzuar me emrin “Enki” nga zotëruesi i saj, gjatë kësaj kohe specia e veçantë është liruar në prezencë të specialistëve të biologjisë, nxënësve të gjimnazit të Orikumit e shumë personave të tjerë. Breshka, e cila pas matjeve rezultoi të kishte moshën rreth 35 vjeçe është lënë e lirë dje për t’iu bashkuar habitatit të saj natyral. E gjymtuar dhe me atrofizim të muskujve për shkak të jetesës në rezervat breshka dje ka prekur sërish ujërat e Adriatikut. Lëshimi i saj në det të hapur është bërë pas markimit me targetën VL 0003 nga prof.dr. Idriz Haxhiu dhe nga biologu Michael White. Sipas Haxhiut, kjo specie është e rrallë dhe meritonte të lirohej e të bashkohej në det me speciet e tjera të llojit të saj. Mësohet se specia e veçantë ka tërhequr mjaft klientë për hotelin ku u mbajt si “dekor”. Breshka e liruar dje i përket një specieje tepër të veçantë. Lloji i saj karakterizohet nga një jetëgjatësi mbi 100-vjeçare dhe se mund të arrijnë një peshë trupore deri në 150 kilogramë. q.b