Ritestim për maturën e vjetshme
• Maturantët që kanë dhënë vjet provimet me zgjedhje dhe nuk janë regjistruar në asnjë prej shkollave të larta, duhet t’i ripërsërisin ato.Këtë proces duhet ta ndjekin nëse këtë vit duan të nisin universitetin. Ditët e fundit interesimi në Ministrinë e Arsimit nga kjo kategori kandidatësh ka qenë i madh. Madje, ata kanë kërkuar edhe sqarime online, në rubrikën e veçantë për Maturën Shtetërore. Shumë prej tyre nuk i ka pëlqyer aspak përgjigjja që kanë marrë nga specialistët e ministrisë. “Unë kam dhënë vjet provimet me zgjedhje, por për arsye personale nuk arrita të regjistrohem në universitet. Nuk e kuptoj përse duhet t’i rijap, kur i kam rezultatet”, thotë Edlira nga Fieri, e cila ka përfunduar vjet gjimnazin dhe kërkonte dje sqarim në Ministrinë e Arsimit. “Nuk mund të jenë njësoj si ata që nuk i kanë dhënë fare si ne që i kemi dhënë. Por s’kemi ç’bëjmë”, shprehet ajo. Ndërkaq specialistët e MASH sqarojnë se gjithçka është e përcaktuar në rregulloren e Maturës Shtetërore për këtë vit. “Është vendosur që me miratimin e saj si kusht ripërsëritja e provimeve me zgjedhje për të gjithë kandidatët që duan të nisin këtë vit universitetin, kjo edhe nëse i kanë dhënë më parë ato”, sqarojnë specialistët. Kështu kandidatët që i përkasin kësaj kategorie duhet të tërheqin pranë shkollave të mesme ku kanë kryer studimet, formularin A1 dhe ta dorëzojnë atë të plotësuar brenda datës 10 mars. “Të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e shkollave të larta publike, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit duhet të rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur dëftesën origjinale të pjekurisë”, thuhet në rregulloren e maturës. Pas plotësimit të formularit A1, që përcakton lëndët me zgjedhje, këta kandidatë duhet të plotësojnë brenda datës 30 qershor edhe formularin A2, tek i cili përcaktojnë degët e universitetit ku duan të aplikojnë.ProvimetMaturantët do ta mbyllin vitin shkollor më 30 maj. Provimin e parë të detyrueshëm (letërsia dhe gjuha shqipe) maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme do ta japin në datën 9 qershor. Testimit të matematikës do t’i nënshtrohen më 17 qershor, ndërsa lëndët me zgjedhje në të gjithë vendin do të jepen në datën 10 korrik. Ministria ka publikuar data të veçanta edhe për kategoritë e tjera të shkollave të mesme, ku përfshihen ato të gjuhëve të huaja, teknike-ekonomike, teknike-profesionale apo dhe shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin.ProgrametQë prej disa javësh maturantët kanë marrë në duar programet orientuese. Në to janë të përfshira të gjitha temat mësimore, që konsiderohen të rëndësishme për t’u asimiluar nga nxënësit, të cilët më pas do të testohen. Programet përmbajnë rreth 50-60% të lëndës që maturantët kanë studiuar gjatë viteve të shkollës. Mbi bazën e tyre do të hartohen edhe testet e provimeve. Specialistët e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve pohojnë se nuk do të ketë pyetje jashtë tyre. Por në muajt që kanë mbetur maturantët duhet të përqendrohen në tërësinë e lëndëve.PenalizimiEdhe këtë vit penalizmi për të gjithë maturantët që thyejnë rregullat e provimit do të jetë i njëjtë me vitin që kaloi. Kështu, nëse gjatë provimit ata kapen me kopje, automatikisht u hiqet e drejta për një vit e kandidimit në shkollë të lartë. Në ambientet kur do të jepet provimi nuk do të lejohet mbajtja e celularëve, ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratorët, apo largimi nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit. Gjithashtu, nga sa është përcaktuar në rregullore, nuk duhet dëmtuar bar-kodi personal.