Komshinjtë: Irena Seli është jashtë shtetit
• TIRANE – Irena Seli, bashkëshortja e Agim Mushos ndodhet jashtë shtetit në një adresë të pacaktuar!Këtë fakt e pohojnë zyrtarisht organe të pushtetit lokal në kryeqytet në fletëthirrjen e dërguar nga gjykata në adresën e saj, për t’u paraqitur në gjyqin për divorc të kërkuar nga bashkëshorti i saj. Fletëthirrja është dërguar fillimisht në adresën që ka dhënë në kërkesë-padi Musho, ku është konfirmuar se ajo nuk gjendej. Më pas letra është dërguar në organet e pushtetit lokal, ku ka mbërritur konfirmimi në gjykatë se Seli prej disa vitesh ndodhet jashtë shtetit dhe se nuk banon në adresën e kërkuar nga gjykata. Pasi administroi përgjigjen e djeshme, gjykata vendosi të përsërisë fletëthirrjen për Selin, kësaj here duke ia dërguar Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Blutë e kryeqytetit, në bazë të urdhrit të gjykatës, do të dërgojnë inspektorët e rendit për të verifikuar nëse Seli gjendet apo jo në banesë dhe nëse do të rezultojë se nuk gjendet, atëherë do përcjellin në gjykatë informacione për vendndodhjen e saj. Pritet që përgjigjja e kësaj fletëthirrjeje të mbërrijë në gjykatë seancën e ardhshme të procesit. Agim Musho, në dhjetor të vitit të kaluar, kur u bënë tre vite nga zhdukja e bashkëshortes, depozitoi padinë për divorc me argumentet se nuk bashkëjetonte me Selin për një kohë të gjatë dhe si pasojë martesa e tyre e kishte humbur efektin. Ndërkohë, moszgjidhja e martesës me Selin atë e pengon për të lidhur kurorë të re. Pas shortit elektronik të hedhur në Gjykatën e Tiranës, padia e Mushos i është dorëzuar gjyqtares Fiqirete Mullai për ta shqyrtuar atë. Seanca e djeshme, e para për këtë proces, u shty për shkak të mosparaqitjes së paditësit, i cili nuk kishte marrë dijeni për datën e gjyqit, ndërsa për seancën tjetër ai do të njoftohet zyrtarisht. Çifti Musho-Seli pushtoi faqet e gazetave dhe kronikat televizive në dhjetor të vitit 2004, kur Irena Seli u zhduk në mënyrë të papritur në tragetin e linjës Brindizi–Durrës, teksa udhëtonte me burrin e saj. Pas hetimeve të bëra nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, rezultoi se Seli kishte hipur në traget në Brindizi, ndërsa nuk u vërtetua nëse kishte zbritur apo jo në Durrës. Ky fakt bëri që të pushohej akuza e ngritur ndaj Mushos. fa.ma.