E Diel, 1 Nëntor 2026

Korça, lamtumirë sportistit të "vrarë" nga depresioni

Qindra korçarë, jo vetëm miq dhe familjarë, por edhe sportdashës, kanë përcjellë dje për në banesën e fundit sportistin e njohur Albert Shahu, i cili vrau veten të mërkurën.
Depresioni mendor është përcaktuar nga policia si shkak i vetëvrasjes. Nga hetimet ka dalë se kohët e fundit Shahu po trajtohej me medikamente antidepresive. Edhe pse ky fakt ka qenë i panjohur për shumë nga njerëzit që e njihnin sportistin korçar si një njeri të qetë dhe të përkushtuar pas punës së tij, ka qenë një moment depresioni që po kalonte së fundi ish-trajneri i të rinjve dhe mësuesi i fizkulturës, që ka çuar në vetëvrasje me varje në litar. Ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm të afërmit, por edhe kolegët e tij. Sipas të dhënave nga shkolla ku jepte lëndën e fizkulturës, Albert Shahu ishte larguar nga mësimi më parë, duke lënë dy orë pa zhvilluar. Ditën e mërkurë, mësuesi i shkollës së mesme "Raqi Qirinxhi", pasi ka kryer mësim me nxënësit orën e pestë, është larguar pa dhënë ndonjë shpjegim dhe pa marrë leje, duke lënë kështu dy orët e tjera. Policia e Korçës bën të ditur se pas ikjes nga vendi i punës, Albert Shahu ka shkuar në banesën e tij. Në momentin e ngjarjes ai ka qenë vetëm në shtëpi. Gruaja e tij, Mimoza Shahu, pasi i kishte telefonuar pas përfundimit të orëve mësimore nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërsa ka mësuar nga stafi dhe nxënësit e shkollës së mesme se bashkëshorti i saj ishte larguar më parë nga puna, duke mos e mbyllur plotësisht programin mësimor të ditës. Ka qenë pikërisht bashkëshortja e Albert Shahut ajo që e ka gjetur më pas në apartamentin e familjes të varur në ballkon me litar. Mungesa e kontaktit telefonik, mësohet se ka ngritur dyshime te bashkëshortja e tij, e cila ka shkuar në shtëpi për të verifikuar nëse burri ishte kthyer apo jo nga mësimi, duke ditur edhe gjendjen shëndetësore dhe problemet që ai po kalonte së fundi me shfaqjen shenjave të depresionit, por është përballur me tragjedinë. Policia e Korçës që hetoi ngjarjen tragjike të vetëvarjes së 46-vjeçarit Albert Shahu, tha se ky person ka vuajtur nga depresioni mendor dhe kohët e fundit merrte mjekim për këtë problem shëndetësor. Vetëvrasja e volejbollistit të njohur tri herë nënkampion i Shqipërisë dhe një sportist me një karrierë të pasur ka shkaktuar tronditje në opinionin korçar, për vetë faktin se Albert Shahu njihej si një njeri i qetë, tejet i disiplinuar, korrekt në punë dhe i përkushtuar ndaj sportit dhe mësimdhënies. Ndërsa fakti që së fundi ai ka qenë i sëmurë dhe merrte mjekime është mbajtur i fshehtë nga familja. Kjo ka shokuar kolegët e tij që e njihnin si një tip të mbyllur, por të cilët nuk kanë qenë në dijeni të faktit se kishte probleme me shëndetin mendor. Tri ditë më parë, Shahu ishte kthyer nga Rumania bashkë me nxënësit e vitit të tretë të gjimnazit, ku kishte qenë për një vizitë njëjavore. Ai i ka dhënë fund jetës në mënyrë të papritur. Albert Shahu, pas shkëputjes së tij si trajner i të rinjve volejbollistë me ekipin e Skënderbeut, punonte së fundi si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›