E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e burgosura, mes të sëmurave psiqike dhe mungesave

  Komiteti Shqiptar i Helsinkit, raport për kushtet e këqija në burgun 325
TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit apelon Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë për kushtet skandaloze të grave të dënuara, që ndodhen në qelitë e burgut "Ali Demi" në Tiranë. Sipas një raporti të përpiluar nga inspektorët e këtij komiteti thuhet se: "është shqetësues fakti se në burgun "Ali Demi" ndodhen 14 të dënuara që shfaqin probleme të rënda mendore si skizofreni, çrregullime të personalitetit etj". Në këto kushte, sipas diagnostikimit të mjekut specialist ose të komisionit të posaçëm mjekësor dhe në përputhje me ligjin, të sëmurë të tillë duhet të dërgohen në institucione të specializuara aq më tepër që në këtë institucion nuk ka mjekë psikiatër. "Nga intervistat me punonjëset e rolit bazë të regjimit të brendshëm në këtë seksion, u informuam për shfaqje agresive të këtyre të sëmurave ndaj personelit të institucionit. Kjo e bën të domosdoshme marrjen e masave kuruese dhe parandaluese për trajtimin shëndetësor të të dënuarave",-thuhet në raport. Sipas raportit, në këtë institucion ka mangësi të theksuara të kushteve fizike dhe shkeljeve ligjore që cenojnë të drejtat e të dënuarave, ku disa prej këtyre shkeljeve janë shumë serioze. "Infrastruktura në seksionin e grave nuk ka ndryshuar prej disa vitesh. 83 të dënuarat janë vendosur në dhoma nga 8 deri në 10 persona, gjë që bie ndesh me nenin 23 të ligjit "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim". Dispozita e mësipërme kërkon që burgu të jetë ndërtuar në atë mënyrë që të plotësojë parametrat për një jetë sa më normale me qëllim që në dhoma të vendosen sa më pak të dënuar. Nga koha e miratimit të ligjit të mësipërm kanë kaluar 9 vjet dhe ende nuk janë zbatuar projekte të reja ku në dhoma të mos ketë më shumë se 4 të dënuar",-thuhet në deklaratën e dërguar nga zyra e KSHH-së. Gjithashtu, sipas këtij raporti mësohet se në këtë institucion ku vuajnë dënimin 83 gra që janë dënuar në formën e prerë, mungon mjeku specialist me profesion gjinekolog, edhe pse të gjithë vuajtëset në këtë burg janë femra. "Nga intervistat me disa të dënuara dhe konstatimet në vend, rezulton se tualetet ndodhen jo vetëm jashtë dhomave, por edhe në gjendje të keqe higjieno-sanitare. Veç kësaj, higjiena personale le mjaft për të dëshiruar për shkak të mosfunksionimit të dusheve, aq sa të dënuarat laheshin dy herë në javë duke përdorur legen"-thuhet në raportin e KSHH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›