E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i Kasharit, 16 të tjerë në hetim

 Prokuroria zgjeron rrezen e të akuzuarve për skandalin e tjetërsimit të pronave në Kashar
TIRANË- Prokuroria e Tiranës merr nën hetim 16 persona të tjerë, përveç 7 drejtuesve dhe ish-drejtuesve të komunës së Kasharit, të akuzuar për abuzime me 16 hektarë tokë. Sipas burimeve pranë seksionit të luftës kundër krimit ekonomik në prokurorinë e kryeqytetit mësohet se pas verifikimit të dokumenteve, pyetjes së të arrestuarve dhe disa prej kallëzimeve të kësaj dosjeje, është arritur në konkluzionin se edhe 16 persona të tjerë janë përfshirë në këto abuzime. "Hetimet 2- mujore kanë dërguar në përfundiminse në abuzimet e tokave në Kashar janë përfshirë edhe 16 persona të tjerë, të cilët duke pasur dijeni për falsifikimet e kryera, kanë pranuar tokën dhe më pas e kanë shitur atë",-thuhet nga burimet e akuzës. Mes personave në hetim janë edhe disa punonjës të administratës, qytetarë të thjeshtë dhe persona që punojnë në vartësinë e Ministrisë së Brendshme. Duke përdorur metoda të ndryshme, ata kanë përfituar nga ish-drejtuesit dhe drejtuesit e komunës së Kasharit tokat e fshatarëve të tjerë, të cilëve më pas ia kanë shitur një personi të tretë dhe paratë i kanë ndarë së bashku. Sipas prokurorisë, prej më shumë se shtatë vitesh, tre kryekomunarët në Kashar kanë abuzuar me mbivendosjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore dhe trojeve, duke shkaktuar miliona euro dëm. "Alfred Sulaj, Faik Fejza dhe Naim Karaj, me detyrë kryetarë dhe ish-kryetarë të kësaj komune, gjatë periudhës 2000-2007, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokave dhe kanë pajisur me vërtetime pronësie persona të ndryshëm, duke qenë dhe jo banorë të Komunës së Kasharit, kundrejt përfitimeve të paligjshme"-thuhet nga burimet. Mësohet se grupi hetimor i çështjes, i kryesuar nga prokurori Armand Gurakuqi ka kryer një studim të të gjitha denoncimeve, madje duke nxjerrë analizat e para, ku dyshohet se janë rreth 300 mijë metra katrorë tokë e rindarë. Toka në kufi me vijën e verdhë të Bashkisë së Tiranës vlerësohet me një çmim të lartë, pasi preferohet prej bizneseve të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›