E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i Shëndetësisë, 7 në gjyq

 

Fatos Mahmutaj

Abuzimi me tenderin për blerjen e një makine për Ministrinë e Shëndetësisë ka dërguar në gjykatë tetë persona dhe një firmë kryeqytetase. Dosja në ngarkim të tyre, nën akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “shkeljes së barazisë në tenderë” dhe “falsifikim të dokumenteve” është dorëzuar në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit pak ditë më parë, ndërsa pritet të hidhet në short paraditen e nesërme. Shtatë të pandehurit e kësaj çështje akuzohen për abuzimin me një tender të blerjes së një mjeti për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë. Mjeku Maksim Bozo, juristi Aleksandër Lipiani dhe ekonomisti Edi Vesho akuzohen për “shkelje të barazisë në tenderë”; Noterja Majlinda Demollari akuzohet për “shpërdorim detyre”; ndërsa Sami Bruçi; firma e tij “Burçi sh.p.k.”; Leart Qendro dhe Voltan Sleni akuzohen për “falsifikim dokumentesh”. Sipas prokurorisë, çështja penale në ngarkim të tyre ka nisur më 28 shkurt të vitit të kaluar, pasi është konstatuar se të pandehurit kanë abuzuar me tenderin e blerjes së një automjeti të përdorur për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë.
Tenderi
Fondi limit i vënë në dispozicion të këtij tenderi ishte 8 milionë lekë të reja, ndërsa janë paraqitur për të marrë pjesë në të, tre firma. Firma e parë, e cila është s’kualifikuar, ka ofruar mjetin për 6.3 milionë lekë; e dyta për 6.65 milionë dhe e treta, ajo që është shpallur fituese, e ka ofruar automjetin e kërkuar për 6.63 milionë lekë. Por pas hetimeve të bëra më vonë ka rezultuar se dokumentacioni i paraqitur nga kjo firmë ka qenë i falsifikuar. Dokumenti kryesor për të marrë pjesë në tender ishte garancia që ka paraqitur firma “Bruçi”, se zotëronte në një nga bankat e nivelit të dytë në vend një llogari prej rreth 3.3 milionë lekësh të reja. E thënë ndryshe, firma duhet të zotëronte një llogari bankare, jo më të vogël se gjysma e vlerës së ofruar në tender, kusht ky i domosdoshëm për të marrë pjesë në të. Sipas prokurorisë, ky dokument për të cilin përfaqësuesit e firmës pohojnë se e kanë tërhequr në bankë, rezulton i falsifikuar.
Hetimi
Më tej rezulton se noterja Demollari e ka noterizuar këtë dokument, i cili është paraqitur në këtë formë në ministri. Asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar akuzën. Ndërkohë që prokuroria pretendon se pas hetimeve ka arritur të provojë se dokumenti bankar është falsifikuar prej të pandehurve. Sipas prokurorisë, në dosjen penale të dorëzuar në gjykatë ndodhen ekspertizat e bëra këtij dokumenti si dhe përgjigjja e bankës, e cila pohon se nuk ka lëshuar një dokument të tillë. Pas kryerjes së procedurave të shortit elektronik në gjykatën e kryeqytetit pritet që të caktohet gjykatësi që do e shqyrtojë këtë çështje. Pas dorëzimit të dosjes në zyrën e gjykatësit pritet të caktohet data e parë për shqyrtimin e kësaj dosjeje, datë me të cilin do të njihen të pandehurit e kësaj çështjeje.

Të pandehurit

Maksim Bozo, mjek, “shkelje të barazisë në tenderë”
Aleksandër Lipiani jurist, “shkelje të barazisë në tenderë”
Edi Vesho ekonomist, “shkelje të barazisë në tenderë”
Majlinda Demollari, notere, “shpërdorim detyre”
Sami Bruçi; “falsifikim dokumentesh”
Firma “Burçi sh.p.k.”, “falsifikim dokumentesh”
Voltan Sleni “falsifikim dokumentesh”
Leart Qendro, “falsifikim dokumentesh”, neni 186, paragrafi II.

Të pandehurit mohojnë akuzat

TIRANE – Shtatë të pandehurit e akuzuar për abuzimin me tenderin 6.6 milionë lekësh kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Përfaqësuesit e firmës, të akuzuar për falsifikimin e dokumentit bankar, pohojnë se e kanë tërhequr atë në sekretarinë e bankës, noterja pohon se kishte noterizuar dokumentin e paraqitur nga klientët, ndërsa punonjësit e ministrisë, që kanë marrë pjesë në procedurat e tenderit për blerjen e mjetit, pohojnë se nuk mund të verifikonin dokumentet, pasi ato ishin paraqitur konform ligjeve dhe për më tepër të noterizuara. Pas caktimit të gjykatësit të çështjes dhe caktimit të datës për seancën e parë të këtij procesi, pritet që të pandehurit apo avokatët e tyre të japin deklarime para togave të zeza rreth akuzës së ngritur ndaj tyre. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›