Vendoset “ora e natës” për fëmijët
Asambleja Nacionale bullgare ka vendosur një orar nate “ndalimi” për fëmijët nën moshën 14 vjeç, duke miratuar amendamentin që hyri në Ligjin e Mbrojtjes së Fëmijëve. Fëmijët nuk mund të qëndrojnë në vende publike pas orës 20:00 të pashoqëruar. Ora e natës për adoleshentët nga mosha 14 deri në 18 vjeç është ora 22:00. Nëse fëmijët nuk mund të jenë me prindërit e tyre në orët e vona të pasdites, atëherë ata duhet të jenë të shoqëruar nga të rritur. Moszbatimi i këtij ligji është mes 300 dhe 500 BGN. Fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk mund të lihen vetëm nëse për ta ekziston rreziku për pasoja fizike, psikologjike dhe morale. Gjoba për këtë është nga 1000 deri në 2000 BGN. Nëse ligji nuk zbatohet edhe pas gjobës, atëherë fëmijët i merren familjes dhe futen në programet e shërbimeve shoqërore apo jetimore. Sipas kryetares së Shoqatës së Prindërve në Bullgari, Tsveta Brestnichka, ora e natës është një masë që do të mbrojë fëmijët. Sepse, sipas saj, “nuk është në interes dhe në të mirë të fëmijëve që ata të qëndrojnë jashtë në orët e vona të natës”. Edhe pse Bullgaria ka hyrë në BE, mbetet një vend i përfolur për strukturat e sigurisë, drogës, prostitucionit dhe korrupsionit. Miratimi i një ligji të tillë është një masë mbrojtëse për fëmijët, por njëkohësisht edhe një tregues negativ për Bullgarinë dhe strukturat e saj shtetërore. Imponimi i këtij ligji tregon se shtetit i mungojnë garancitë e sigurisë për njerëzit në përgjithësi dhe fëmijët në veçanti. Shqipëria ende nuk e ka një ligj të tillë, por kjo jo sepse ka garancinë e sigurisë për të miturit. Ndërsa lëviz në orët e darkës, sheh fëmijë të cilët enden rrugëve jo vetëm të pashoqëruar, por edhe nga ata që lypin dhe punojnë për të tjerë, e shpeshherë të keqtrajtuar. Të rinjtë bullgarë janë shprehur kundër këtij ligji dhe për ironi komentojnë se tani do të shkojnë në diskotekë të shoqëruar nga gjyshet e tyre.