E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e fshatit Gjorm, të dënuara për kultivim hashashi: Të na falë Presidenti

Pas historisë së gruas nga Fieri, që ndodhet e burgosur në Tiranë, edhe gratë e Gjormit të Vlorës, të cilat janë në kërkim nga policia, pasi janë dënuar për kultivim hashashi, kërkojnë të falen nga kreu i shtetit.

Të dënuarat e fshatit Gjorm të rrethit të Vlorës, të cilat janë më shumë gra të moshuara, i bëjnë apel Presidentit të Republikës që t‘i falë për dënimin që ato kanë marrë. Rruga që të çon në këtë fshat të largët është e amortizuar dhe do rreth dy orë që të mbërrish atje. Si gjithmonë për të gjetur gratë e fshehura që janë të dënuara me nga dy dhe tre vjet, na shoqëron kryeplaku i këtij fshati, Çuman Shenaj, i cili na bën të mundur takimin me to, pasi i shmangen çdo takimi me njerëz të huaj nga frika e arrestimit të tyre prej policisë. Njëra prej tyre, Lala Ajazi, 55 vjeçe, e gjetëm në ambientet larg shtëpisë së saj, edhe ajo me frikë na është përgjigjur për "Shqip", se i lutemi Presidentit të na falë për dënimin që na ka dhënë gjykata dhe ne të mos rrimë më të fshehura. Nuk duam që të shkojmë në burg për disa rrënjë bime, që mbollëm në vitin 2005 dhe dënimin e morëm pas dy vitesh në mungesë. "I lutemi qeverisë, si edhe Presidentit tonë, që ne gratë e Gjormit të rrimë në shtëpitë tona, pa frikë se mos vjen policia dhe na merr për të na çuar në burg për të kryer dënimin". Kurse Liri Halili, 60 vjeçe, është shprehur se "kam gjashtë muaj që nuk shkoj në shtëpinë time, pasi kam shumë frikë se mos më marrin dhe rri ku të mundem, pasi edhe fëmijët janë larg, burri më ka vdekur. Jam e dënuar, por e pafajshme", thotë Liria. Ajo shton se i lutet Presidentit që ta falë dhe të shkojë të rrijë në shtëpinë e saj, në mënyrë që ato vite që i kanë mbetur t‘i kalojë brenda në shtëpi dhe jo nëpër fis e të afërm. Por edhe shumë gra që burrat i kanë të dënuar me tre deri në pesë vjet dhe që aktualisht po vuajnë dënimin në burgjet e Shqipërisë, i bëjnë thirrje kreut të shtetit, të bëjë një amnisti për burrat e tyre dhe t‘i falë, pasi në Shqipëri ka shumë që kanë mbjellë hashash dhe nuk janë dënuar, si ata të fshatit Lazarat që nuk u është futur gjemb në këmbë. Kryeplaku i fshatit, Çumani Shena, është shprehur se "e kam ndjekur nga afër situatën e të dënuarve të fshatit tim, që është bërë problematike. Një pjesë e këtyre personave jetojnë të fshehur dhe maleve, pasi janë shumë në fshat që janë të dënuar, 10 gra dhe 11 burra. Unë si kryeplak i bëj thirrje Presidentit që të bëjë falje, ose ndonjë amnisti për këta persona, që dhe ata të gëzojnë në shtëpitë e tyre". Gratë që rrinë të fshehura dhe kanë marrë dënimin, janë nga mosha 55 deri 92 vjeçe. Ato janë: Lajla Ajazaj, Zybejde Aliaj, Drita Likaj, Liri Halili, Hanko Seferaj, Sofi Totaj, Veziko Memushi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›