I mbijetuari i tragjedisë: Do ta rrezikoj sërish jetën
Një prej të mbijetuarve të tragjedisë së Butrintit shprehet se sërish do ta rrezikojë jetën në emigrim për ditë më të mira, pasi familja e tij jeton nën një varfëri të plotë dhe nuk sheh asnjë shpresë në fshatin ku jeton. Bëhet fjalë për Marsid Mitën, nga fshati Imsh në rrethin e Lushnjës, i cili i mbijetoi tragjedisë së Butrintit, ku shoku i tij i ngushtë, Ndriçim Myftari, humbi jetën. Marsidi ka marrë sërish rrugën për emigrim, ndërsa familja e tij jeton pothuajse nën qiell të hapur. Prindërit e Marsidit, invalidë, por pa pension, tregojnë se festat e fundvitit për ta nuk shënojnë asnjë ndryshim me ditët e tjera. Familja Mita jeton në fshatin Imsh, Komuna Bubullimë, rreth 22 kilometra larg nga Lushnja. Kjo familje jeton në kushte tepër të rënda ekonomike. Ajo përbëhet nga gjashtë persona, dy prindërit dhe katër fëmijët. Në prag të festave të fundvitit, familja e përbërë prej 6 personash është thuajse në qiell të hapur. Shtëpia ku ata banojnë, që më shumë i ngjason një kasolleje të dëmtuar, mësohet prej Agron Mitës, kryefamiljarit, se është ndërtuar në vitin 1961. Agroni tregon se banesa thuajse është e shkatërruar, pasi gjysma e saj është shembur. "Nga dita në ditë po shënohet rrëzimi i gjithë godinës, që më parë ka qenë shtëpi. Në një dhomë me sipërfaqe të vogël flemë të gjashtë familjarët. Nuk kam se çfarë të bëj më shumë, se as toka që punoj nuk i përmbush dot detyrimet që kam për familjen. Invalid po hiqem zvarrë në tokë, por nuk po arrij të ushqehem e jo më të mendoj për një strehë", thotë Agron Mita kryefamiljari. Gjendja ekonomike e kësaj familjeje është shumë e rëndë, pasi nuk ka asnjë të ardhur. Agroni dhe bashkëshortja e tij, Gjena, thonë se me gjithë pamundësinë ekonomike duhet të përballen edhe me sëmundjet që vuajnë. "Në këto kushte nuk mund të jetohet. Jemi në mëshirë të fatit dhe presim vetëm vdekje e tragjedi se tjetër gjë nuk na pret", thonë bashkëshortët Mita. Si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, kjo familje dy muaj më parë u përball me një tjetër ankth, pasi djali i madh, Marsidi, ishte një prej të mbijetuarve në tragjedinë e Butrintit. Ai ishte nisur për në Greqi së bashku me shokun e tij, Ndriçim Myftarin, i cili humbi jetën. Fqinjët dhe të afërmit e familjes së varfër tregojnë se kur është kohë e keqe të gjashtë pjesëtarët e familjes përballen me frikën e shembjes së shtëpisë. Pa përkrahje dhe pa shpresë, familja Mita kërkon ndihmë nga shteti, të paktën për një dhomë të sigurt ku mund të fusë kokën.