E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë kërkojnë 25 për qind të kandidatëve

03/04/2005  Forumi i dorëzoi dje kryesisë listën e emrave

Gratë socialiste kërkojnë 25 për qind e kandidaturave për deputetë të jenë femra. Gjithashtu në mbledhjen e forumit të greve të PS-së është kërkuar që ato të kenë një pjesëmarrje sa më të lartë në vendimmarrjen e Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të forumit të grave socialiste janë përcaktuar 25 emrat e kandidateve për deputetë. Lista i është dërguar strukturave qendrore të PS-së ashtu dhe strukturave nëpër rrethe. Aktualisht, edhe pse përpjekjet në PS-ja kanë qenë të shumta për të rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje, kjo parti ka vetëm 7 deputete, nga 67 mandate që ka kjo parti. Disa nga objektivat, me të cilat doli mbledhja më e fundit e KPD-së, ishin forcimi i forumit të grave socialiste, rritja e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje, bashkëpunim më intensiv me forumet homologe të forcave të majta, sigurimi i një mbështetjeje sa më të madhe nga forumet e majta të grave të Evropës, si dhe angazhim total për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti përkrah PS-së. Gratë socialiste të gjitha objektivat e përcaktuara nga KPD-ja do t'i ratifikojnë në kongresin e datës 8 prill, i cili do të mbahet në Pallatin e Kongreseve. Këtij kongresi do t'i paraprijë mbajtja e konventës së gruas socialiste, ku do të jenë pjesmarrëse të gjitha kryetaret e forumeve në rrethe. Hartimi i një projektprogram-statuti dhe miratimi i tij në kongres do të jetë dhe një tjetër çështje, për të cilën gratë socialiste do të synojnë të jenë sa më të përfaqësuara në jetën politike të partisë dhe më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›