E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Problemet me kalimin e pronave te bashkitë”

• Kalimi i pronave nga qeveria te bashkia po cenon hapur interesin e pronarëve.ADI SHKEMBINë vendimin e qeverisë, që kohët e fundit janë bërë shumë të shpeshta, kalimi i pronësisë në kuadër të decentralizimit, nuk merret parasysh pronësia e tokës. Më keq akoma, tokat, kullotat, pyjet, që kalojnë në pronësi të bashkisë, mundet ligjërisht të shiten, ose të përdoren nga këto të fundit për interesat e veta. Nga ana tjetër, kjo tokë, nuk do të shërbejë më për kompensim fizik të ish-pronarëve. Problemi juridik dhe konkret ka shqetësuar së fundmi edhe ish-pronarët. Decentralizimi dhe kalimi i pronësisë, po prek përditë e më shumë interesat e tyre. Kështu në rast se qeveria i kalon bashkisë në pronësi një sipërfaqe toke, ajo nuk e di nëse në këtë tokë mund të ketë pronarë. Nga ana tjetër edhe në rast se toka nuk ka pronarë, ajo në fillim duhet të përdorej për të kompensuar ish-pronarët. Por kalimi i saj në varësi të bashkisë, i heq të drejtën pronarëve për rikthim apo për kompensim toke. Bashkisë, nga kalimi i lind e drejta ta shesë, apo ta përdorë për interesat e veta tokën, duke zhdukur kështu përgjithmonë mundësinë e përdorjes së saj në interes të pronarëve. IntervistaNë një intervistë për gazetën këshilltari i Kryeministrit për çështjet e Territorit dhe Pronave tregon se ky problem po shqyrtohet nga specialistët. Ai balancon interesin e decentralizimit me atë të pronarëve dhe zgjidhjen e mundshme të këtij problemi.Ka nisur procesi i transferimit të pronave për komunat e bashkitë. Këto prona mund të kenë pronarë, a është ky transferim një shkelje e të drejtës së tyre? Qeverisja, sikurse dhe e gjithë shoqëria shqiptare, përballet me një sërë sfidash në fushën e reformës së pronësisë në vendin tonë. Në përputhje me prioritetet qeverisëse por edhe me detyrimet që rrjedhin për shkak të legjislacionit në fuqi dhe aderimeve në marrëveshje ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka shprehur angazhimet e veta në lidhje me disa procese që ndodhin në mënyrë të njëhershme. I tillë është procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve historikë, një proces tejet i rëndësishëm dhe, do të thosha, themelor në reformën e pronësisë. Por duhet të pranojmë që kjo qeverisje ka shprehur vullnetin e angazhimin e saj dhe në drejtim të reformës së decentralizimit të pushtetit. Në kuadër të kësaj reforme është tashmë një detyrim i pushtetit qendror decentralizimi, jo vetëm i autoritetit, por është i financave dhe i aseteve fizike (pronave të patundshme) në drejtim të pushtetit vendor. Rrjedhimisht na duhet të pranojmë hapur që është një sfidë e shoqërisë shqiptare dhe kryesisht e qeverisjes detyrimi përballë këtyre dy proceseve: Atij të kthimit të pronave pronarëve historikë, por dhe atij të decentralizimit të pushtetit drejt pushtetit vendor. Balancimi i këtyre dy proceseve është një vijë shumë delikate. Çështja është që transferimi i pronave drejt pushtetit vendor presupozon që një pjesë e pronave të patundshme të transferohen në pronësi të këtij të fundit, ç’ka i përjashton ato nga përdorimi i mundshëm si kompensim fizik për pronaret historikë. Në momentin që këto prona transferohen pushteti vendor ka të drejtën t’i shesë apo t’i japë me qira të tretëve apo të veprojë me to siç e sheh më të arsyeshme në përputhje me politikat e menaxhimit urban të asaj njësie vendore. Në mungesë të kapaciteteve të duhura mund të rrezikohet që këto pasuri të shiten jo domosdoshmërisht bazuar në vlerësimet më të mira ekonomike dhe financiare në favor të pushtetit vendor. Ky realitet, kuptohet, që krijon njëfarë tensioni midis procesit të kompensimit dhe atij të transferimit. Ndaj konsiderohet delikate balanca midis këtyre dy proceseve. Në këtë fokus qeveria do të duhej të tregohej e kujdesshme të transferonte ato lloj pronash dhe asetesh që do t’i shërbenin realisht pushtetit vendor në procesin e menaxhimit urban. Të tilla do të ishin pronat publike apo edhe troje ndërtimore që do të transferoheshin me rregulla të qarta loje, menaxhimi që do të shmangnin abuzimet dhe do të rrisnin mundësitë për t’i shërbyer procesit të zhvillimit. Por nuk do t’i shërbente procesit dhe do të dëmtonte proceset alternative si kthimi dhe kompensimi nëse do të transferoheshin të gjitha llojet e aseteve.Në vitin 2004, në ligjin “Për pronat”, është parashikuar që pronat shtetërore të mos privatizohen pa u parë më parë nëse kjo pronë është apo jo e një pronari. Në amendimet e reja, kjo pikë është ndryshuar, a i lejohet sot bashkive që ta shesin pronën e transferuar? Amendimet e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve historikë në vitin 2006 kishin për qëllim që nën dritën e mësimeve të nxjerra nga progresi i këtij procesi gjatë viteve 2004-2006 të zhdërvjelltësohej procesi. Nuk duhet të harrojmë faktin që amendimi i këtij ligji ka kaluar përmes një negociate tejet delikate politike e udhëhequr nga faktori politik që esencialisht përfaqëson grupin e interesit të pronarëve historikë. Maxhoranca qeverisëse ka pasur vullnetin e duhur të mbështetjes së këtij procesi. Nga ana tjetër, duhet theksuar që procese analoge në lidhje me trajtimin e pronës shtetërore dhe politikave qeverisëse në drejtim të thellimit të procesit të forcimit të ekonomisë së tregut (siç janë procesi i privatizimit apo i menaxhimit me efeciencë i pronës shtetërore), pothuajse u bllokuan gjate viteve 2004-2006. Argumentohet, deri diku me të drejtë, që prioriteti i qeverisjes në raport me reformën e pronësisë të jetë çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave. Por si rezultat i negociatave politike dhe i vullnetit te shoqërisë shqiptare janë reflektuar edhe nevoja e mos pengimit të proceseve të tjera reformuese në drejtim të pronës, siç është ai i privatizimit apo i transferimit të pronave në favor të pushtetit vendor. Rrjedhimisht logjika e përdorur ka qenë që me gjithë detyrimet që rrjedhin ndaj pronarëve historikë, të mos pengohen procese që stimulojnë ekonominë e vendit siç është privatizimi i pronës shtetërore apo i vënies së saj në dispozicion të investimeve private. Duhet theksuar që logjika e përdorur është e drejtë. Çështja është që duhet treguar një kujdes i madh në trajtimin dhe zbatimin e këtyre politikave. Me pak fjalë proceset e privatizimit duhet të ndodhin në sinkronizim të plotë me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës pronarëve historikë. Për shkak të mungesës së informacionit të plotë ky sinkronizim është i vështirë. Ndaj një sfidë e qeverisjes është krijimi i sistemeve të informacionit që do të bënin të mundur një vendimmarrje që do t’i hapte rrugë procesit të privatizimit, transferimit apo investimit privat pa dëmtuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës pronarëve historikë.Në rast se i lejohet shitja e pronës bashkive, dhe kjo tokë ka në fakt një pronar, a nuk krijohet kështu një anomali në procesin e kthimit të pronave? Pyetja është mjaft e drejtë dhe konstatimi është kritik. Transferimi i pronave publike shtetërore dhe jo shtetërore në favor të pushtetit vendor presupozon që ky i fundit të gëzojë të drejtën e pronarit mbi pronat e transferuara. Për rrjedhojë ai ka të drejtën e menaxhimit të pronës së tij në mënyrën sesi ky pushtet (që përfaqëson vullnetin e një komuniteti të caktuar) ta shohë më të arsyeshme. Pushteti vendor mund ta shesë, japë me qira apo ta këmbejë, apo ta vërë në efeciencë (ta zhvillojë) në format që i duken më të arsyeshme. Kuptohet që racionalja e kësaj të drejte është ushtrimi i të drejtës së qeverisjes së një lokaliteti të caktuar me mjetet e duhura; financa, autoritet por edhe asete fizike të domosdoshme në procesin e zhvillimit urban të një rajoni të caktuar. Esencialisht edhe pushtetit vendor i duhen asete fizike qe ai mund t’i vërë në shfrytëzim në mënyrë që të sigurohen më shumë terrene sportive, lulishte a parqe në favor të publikut. Në këtë kuadër do të ishte një zgjidhje e zgjuar që të analizohej lloji dhe natyra e pronës që i transferohet pushtetit vendor në mënyrë që ajo t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi dhe të mos jetë subjekt i spekulimit dhe mos adresimit të çështjes së reformës së pronësisë. Me këtë rast duhet sqaruar që deri tani ka pothuajse përfunduar procesi i inventarizimit të pronës shtetërore, por procesi i transferimit sapo ka filluar. Ndaj është momenti i duhur i vendosjes së disa kritereve bazë të transferimit që garantojnë fuqizimin e pushtetit lokal por nuk komprometojnë procesin e kthimit dhe kompensimit. Nga ana tjetër mungesa e një informacioni gjeografik të përshtatshëm mund të lejojë që ndërkohë që një pronë e caktuar pretendohet për kthim, kjo pronë të transferohet apo të privatizohet pa bërë një analizë nëse kjo është zgjedhja e duhur për ekonominë tonë apo për shoqërinë tonë. Vetëm nëse do të kishim të dhëna të sakta dhe të sinkronizuara mund të merreshin lehtësisht vendime të tilla bazuar mbi racionale ekonomike. Prandaj është imperative që të shpenzojmë energji dhe burime në krijimin e këtyre bazave të së dhënave. Qartësia e situatës vjen nga krijimi i këtyre sistemeve të informacionit. Kjo do të ndikonte për mirë jo vetëm në vendimmarrje por do të lehtësonte dhe regjistrimin e pasurive në sistemin e regjistrimit të pasurive të patundshme.A ka ndonjë plan qeveria, për vazhdimin e procesit të decentralizmit, pra të kalimit të pronave nën bashkitë, dhe nga ana tjetër të mbrojë edhe ish-pronarët nga shitja e tokave? Esencialisht, themeli i një logjike të tillë konsiston në krijimin e një baze të dhënash që lejon analizën mbi bazën e së cilës transferohen pronat e duhura dhe mbahen pronat e përshtatshme në favor te procesit të kthimit dhe kompensimit. Kuptohet që ky është një proces delikat, por fjala vjen, transferimi i kullotave nuk do të ishte zgjidhja më e përshtatshme, ndërkohë që transferimi i pronave publike dhe disa terreneve urbane të përshtatshme për zhvillim mund t’u transferohen pushteteve vendore në mënyrë që ato t’i vënë në përdorim të politikave urbane. Sidoqoftë, një zgjedhje e tillë mund të bëhej vetëm në bazën e një analize dhe rekomandimi në nivel ekspertësh në mënyrë që të akomodoheshin detyrimet ndaj pushtetit vendor pa komprometuar themelet e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve historikë. Aktualisht ne jemi në një fazë delikate të trajtimit të informacionit dixhital të mbledhur në AKKP në mënyrë që të krijojmë një panoramë të duhur për trajtimin e këtij procesi.Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që nga tërësia e pronave, një pjesë janë pasuri informale, një pjesë janë pasuri të paregjistruara ende, një pjesë janë prona shtetërore dhe si të tilla nuk janë regjistruar. Një pjesë për shkak të mungesës së një informacioni të përshtatshëm janë në konflikte gjyqësore apo janë me mbivendosje. Këto apo raste të pasurive që i kanë të dhënat të paplota në sistem, me krijimin e bazave të të dhënave, mund të zgjidheshin me lehtësi. Tërësia e këtyre pjesëve krijojnë një panorama jo të këndshme të pronave dhe pasurive që për shkaqe të ndryshme nuk janë lehtësisht të shkëmbyeshme në treg duke krijuar kështu një pengesë serioze në dinamikën e tregut të pasurive të patundshme. Çlirimi i këtyre pasurive kalon përmes krijimit të bazave së të dhënave, dixhitalizimit të tyre dhe krijimit të sistemeve të qarta dhe transparente. Ka disa iniciativa të tillë në ZRRPP apo edhe në krijimin e arkivës dixhitale në AKKP. Por duhet një punë më e madhe, burime më të mëdha, kapacitete më të mëdha dhe vullnet më të madh për të çuar iniciativa të tilla përpara. Kam besim që vetëm me thellimin e iniciativave të tilla që krijojnë panorama të sakta përmirësohet dhe vendimmarrja në funksion të zbatimit të politikave reformuese në fushën e pronësisë.Berisha përgëzoi transferuesit e pronaveVendimet e shumta që po merr në çdo mbledhje qeverie lidhur me transferimin e pronave, ka bërë që Kryeministri Berisha të mos i kursejë fjalët e mira për punonjësit e Drejtorisë së Transferimit të Pronave. Në një nga mbledhjet e fundit të qeverisë, Kryeministri Berisha është shprehur se, “Dua të përgëzoj Drejtorinë e Transferimit të Pronave, e cila realisht e ka shpejtuar shumë punën dhe po shkon drejt një misioni që do të vlerësohet shumë. Punonjësit e saj duhet të jenë të sigurt se, me përmbushjen e këtij misioni, i bëjnë një shërbim shumë të madh vendit dhe janë të çmuar edhe në sektorë të tjerë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›