Finlanda njeh pavarësinë e Kosovës, Kroacia do ta njohë brenda muajit
Ashtu siç ishte njoftuar ditë më parë, Finlanda ka njohur dje zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Teksti për njohjen e Kosovës është nënshkruar nga Presidentja e Republikës Finlandeze, Tarja Halonen. Ndërsa presidenti Stipe Mesiç ka deklaruar se Kroacia do ta njohë pavarësinë e Kosovës brenda muajit mars. Gjatë vizitës së tij në Japoni, Mesiç është pyetur rreth shtetit të ri.
“Besojmë se pavarësia e Kosovës është e rëndësishme për stabilitetin në rajon”, - u shpreh Mesiç. Ndërkohë, presidenti serb Boris Tadiç i ka sugjeruar Kroacisë të mos njohë pavarësinë e Kosovës duke marrë parasysh faktin se ende nuk ka përmbushur të gjitha detyrimet për t’u pranuar në BE. “Edhe me Kroacinë, por edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit, dëshirojmë marrëdhënie më të mira të mundshme”, - ka thënë Tadiç, i cili ka paralajmëruar se çdo vendim i mundshëm për njohjen e Kosovës do të ketë pasoja të thella politike dhe ekonomike, për këtë shkak të gjitha vendet e rajonit duhet të mendojnë mirë për këtë çështje.
Ahtisari: “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Serbia po dëmton vetveten duke mos e pranuar shtetin e ri. Kjo ka qenë deklarata e ish-të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. “Nuk ka kthim në të shkuarën. Kosova është tashmë e pavarur dhe do të fillojë të kërkojë të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare për të përmirësuar ekonominë, që është përparësia e saj kryesore”, - u shpreh Ahtisari. Ish-i dërguari i Kombeve të Bashkuara duke folur për rolin e Rusisë tha se ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me sjelljen e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, e cila pengoi Këshillin të marrë një vendim. Sipas tij, një gjë e tillë nënvlerësoi rolin e Këshillit të Sigurimit. Ahtisari po merr pjesë në një konferencë për Kosovën në Helsinki të Finlandës.
Frid, Sejdiut: “Ndërtoni një shtet me baza ligjore”
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë, Daniel Frid, ka vizituar shtetin më të ri, Kosovën. Gjatë takimit, Frid tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës së pandarë dhe të integruar në Bashkimin Europian. Këto komente Frid i bëri pas takimit me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. “Është nder dhe kënaqësi që të jem në shtetin më të ri europian dhe demokracinë më të re botërore, në Republikën e Kosovës”, - tha Frid, duke theksuar se Kosova tashmë gëzon pavarësinë e saj. “Lajmi i mirë është se ju jeni sërish këtu dhe mbetet sfida që të ndërtoni një shtet për të cilin shumë kosovarë kanë luftuar”, - vlerësoi Frid. Zyrtari i lartë amerikan ka porositur lidershipin kosovar që të ndërtojë një shtet të bazuar në sundimin e ligjit, me institucione të fuqishme demokratike dhe shtet për të gjithë qytetarët e saj, si dhe një shtet në rrugëtimin drejt Europës. “Ka ende mjaft sfida, por njerëzit e Kosovës tashmë janë mësuar me këto lloj sfidash. Ata kanë tejkaluar edhe sfida më të vështira e më të këqija në të kaluarën”, - theksoi Frid, duke i përgëzuar udhëheqësit institucionalë të Kosovës për menaxhimin e situatës muajt e fundit në vend. “Mbetet edhe shumë më shumë punë për t’u bërë, por tani Kosova është e lirë për të ndërtuar institucionet e saj demokratike, për të zhvilluar ekonominë, për të sjellë investitorë të vegjël e të mëdhenj dhe për ta kuptuar të ardhmen e tyre si një komb europian. SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës”, - premtoi Frid. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë, Frid, tha se SHBA-të nuk mendojnë në ndarjen e Kosovës. “Nuk do të fokusohesha shumë në ndarje, ashtu mendoj se do të bëjnë edhe institucionet e Kosovës duke u angazhuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne nuk besojmë në ndarje të territorit. Këtë e kemi thënë gjithmonë. Ndërkaq ne nuk i komentojmë deklaratat e rusëve, edhe pse edhe më herët Rusia ka qenë kundër ndarjes, por pavarësia është një fakt”, - tha Frid duke komentuar deklaratat e rusëve se do të ketë ndarje të Kosovës. Frid i ka dënuar sulmet e Ambasadës Amerikane në Beograd si dhe ato në veri të Kosovës. “Aksionet serbe dhe sulmet ndaj ambasadave janë të papranueshme, gjithashtu edhe ato në veri të Kosovës”, - theksoi Frid. Ai shtoi: “Institucionet e Kosovës u janë përgjigjur me mençuri këtyre provokimeve”.
8 Mars 2008