E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në përdorim, 8 mijë familjeve do t’u merret prona

Përfituesit deri në shkurt 1996 nuk do ta gëzojnë pronën. Kush ka shitur këtë tokë duhet të kthejë paratë
Erald Kapri

Qeveria ka bërë një ndryshim të ligjit për tokën bujqësore dhe ka vendosur për fatin e 10300 hektarëve tokë, të cilat gëzohen sot nga 8 mijë familje. Kjo sasi toke është dhënë në përdorim si tokë bujqësore për këto familje pa të drejtë pronësie dhe sot qeveria ka vendosur të ndryshojë destinacion. Familjet që kanë përfituar tokë në përdorim para shkurtit të vitit 1996 dhe në rast se toka e tyre është brenda vijave kufizuese të qyteteve, do t’u merret toka dhe do të kompensohen me truall në qytet brenda, ose me tokë turistike në bregdet. Sipas këtij vendimi, qeveria ka përcaktuar që përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, do të kompensohen me truall në zonat urbane vetëm atëherë kur toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi i këtyre familjeve do të ndodhë vetëm atëherë kur të përfundojë procesi i legalizimeve. Ligji parashikon se këto familje në rast se kanë shitur këtë tokë apo e kanë kthyer në pronësi, atëherë duhet në derdhin në shtet të gjithë sasinë e përfitimit që kanë marrë nga shitja e tokës që kanë pasur në përdorim.
Vlera e kompensimit
Kompensimi i këtyre familjeve nuk do të jetë në bazë të metrave katrorë që ato disponojnë, por vetëm në bazë të numrit të pjesëtarëve që ka në familje. Kompensimi në truall do të bëhet për familjet mbi 6 pjesëtarë dhe kur sipërfaqja e truallit të jetë deri në 500 m2. Gjithashtu, kompensimi bëhet për familjet me më pak pjesëtarë, ku zbriten 100 m2 për çdo pjesëtar më pak, në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile. Ndërkohë që sipas këtij vendimi, përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit", që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, do të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin kur toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kalimi i tokës së përdoruesve për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve për ndërtime publike bëhet, sipas rastit, me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të qarkut ose të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën. Vendi i kompensimit me truall për përdoruesit e tokës bujqësore përcaktohet në zonat turistike bregdetare nga Ministria e Transportit dhe Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore në territorin ku ndodhet toka që kalon për kompensim.
Vendi i kompensimit
Vendi i kompensimit me truall për përdoruesit e tokës bujqësore përcaktohet nga ministritë me vendim të qeverisë. Kompensimi për tokat në përdorim brenda qyteteve do të bëhet në zonat periferike të qyteteve dhe qendrave urbane nga Ministria e Transportit në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore, ku ndodhet toka e kaluar për kompensim, pas përfundimit të procesit të legalizimit nga ALUIZNI. Mbajtësit në përdorim të këtyre kategorive të tokave bujqësore të paraqesin dokumentet në zyrat rajonale të Agjencisë së Pronave, që vërtetojnë marrjen dhe ekzistencën e tokës në përdorim. Zyrat rajonale të AKKP-së kryejnë kalimin e dokumentacionit për kompensim me truall sipas procedurave dhe afateve, që përcaktohen me vendim të qeverisë.

Kompensimi për tokat në përdorim në qytete

1- Për familjet mbi 6 pjesëtarë sipërfaqja e truallit të tjerë deri në 500 m2;

2- Për familjet me më pak pjesëtarë të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile, të datës 31.12.1995.

3- Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Kompensimi për tokat në përdorim në zonat turistike

1- Për familjet mbi 6 pjesëtarë sipërfaqja e truallit të tjerë deri në 500 m2;

2- Për familjet me më pak pjesëtarë të zbriten 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile, të datës 31.12.1995.

3- Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas Vendimit nr. 88, datë 1.3.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit”, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Dekreti i Presidentit Berisha parashikonte kompensim 3 herë më të lartë

Presidenti i vendit në vitet 1992-1997, Sali Berisha, hartoi një dekret në datën 27 mars të vitit 1996, i cili përcaktonte të njëjtën procedurë për tokat bujqësore në përdorim si ligji i vitit 2008. Ky dekret u bë i famshëm pasi nuk kaloi në Kuvend, çka bëri që ai të mos merrte fuqi si dhe të zvarritej problemi i tokave në përdorim. Dekreti i ish-president Berishës parashikonte një kompensim tri herë më të lartë se ai që ka miratuar qeveria e drejtuar po nga Sali Berisha sot. Dekreti i famshëm, që nuk kaloi në Kuvend, citonte se “Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese ose në zonat me përparësi turizmi do të kompensohen me truall në zonat urbane ose në bregdet, në momentin që toka e tyre do të përdoret për kompensim fizik ose në rastet e ndërtimeve publike”. Masa e kompensimit parashikohej sipas atij dekreti për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë deri 1500 m2 dhe për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritet 200 m2 për çdo pjesëtar më pak. Më tej ai shprehej se përdoruesit e këtyre kategorive të tokave bujqësore do të paraqesin në komisionet shtetërore të kthimit dhe kompensimit të pronave dokumentet që vërtetojnë marrjen e tokës në përdorim, në afatet që përcaktohen në ligjet për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Ligji, do të verifikohen titujt e pronave me Ligjin 7501

Shteti do të rimarrë tokat të cilat janë ndarë abuzivisht. Qeveria ka miratuar një projektligj nëpërmjet të cilit do të shqyrtojë nga e para të gjithë titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991, qoftë edhe sipas Ligjit famëkeq 7501. Projektligji ka si synim që të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore si dhe do të ngrejë struktura shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe të krijojë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas qeverisë, objekti i projektligjit do të prekë titujt e pronësisë të krijuar me sipërfaqet që në datën 1.8.1991 që kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit 7501, që ka hyrë në fuqi më datë 19.7.1991. Njëkohësisht do të verifikohen sipërfaqet e tokave bujqësore që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998. Objekti i projektligjit do të prekë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas ligjit të vitit 1995. Projektligji përcakton se titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t’u hiqet titulli i pronësisë pasi ajo llogaritet si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.

D E K R E T
Nr. 1431, datë 27.3.1996
për një ndryshim në Ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”

Në mbështetje të nenit 28, pika 19, të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

D E K R E T O J:

Neni 1

Në Ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, pas nenit 3, shtohet neni 3/1 me këtë përmbajtje:

“Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese ose në zonat me përparësi turizmi do të kompensohen me truall në zonat urbane ose në bregdet, në momentin që toka e tyre do të përdoret për kompensim fizik ose në rastet e ndërtimeve publike.
Masa e kompensimit do të jetë:
- Për familjet mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë deri 1 500 m2.
- Për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritet 200 m2 për çdo pjesëtar më pak.
Përdoruesit e këtyre kategorive të tokave bujqësore do të paraqesin në komisionet shtetërore të kthimit dhe kompensimit të pronave dokumentet që vërtetojnë marrjen e tokës në përdorim, në afatet që përcaktohen në ligjet për kthimin dhe kompensimin e pronave”.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS
Sali Berisha

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›