E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gratë në biznes”, nisma e re e Gjermanisë në ndihmë të ekonomisë shqiptare



Krijimi i një platforme të gjerë dhe të plotë bashkëpunimi midis sipërmarrëseve nga Shqipëria dhe Gjermania, por dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e një lobingu femëror të gruas në biznes ishin në qendër të konferencës “Gratë në biznes”, organizuar të me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) dhe Komisionit të Lindjes së Ekonomisë Gjermane. “Gratë drejtuese janë zemra e vendit, që drejtojnë qoftë një biznes të mesëm, një firmë ndërkombëtare, një institucion apo edhe një familje”, tha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në fjalën e saj, ndërsa e vuri theksin në përmirësimet dhe lehtësimet ligjore që duhen bërë për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në biznes. Sipas saj, “gratë pjesëmarrëse në këtë aktivitet janë shembulli i një suksesi të arrirë me mund dhe sot ato dëshmojnë edhe njëherë se një grua nuk mendon vetëm për arritjet personale, por lufton për një çështje më të madhe, atë të sigurimit të kësaj të drejte për të gjitha gratë e tjera”. Ndërsa ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchhard, duke vlerësuar përcaktimin në Kodin Zgjedhor për një pjesëmarrje prej 30 për qind të grave në Parlament, u shpreh se ndryshimet në kuadrin ligjor në Shqipëri po ecin me një ritëm të shpejtë dhe këtë e dëshmojnë më së miri edhe përmirësimet ligjore si, “Ligji për Barazinë gjinore” dhe "Për parandalimin e dhunës në familje”. Konferenca, “Gratë në biznes”, do të vazhdojë në disa panele të veçanta sipas grupeve të interesit, takime bilaterale biznesi për bashkëpunim etj. Përzgjedhja e Shqipërisë në këtë organizim lidhet me faktin se vendi ynë është kthyer në një vend që ofron stabilitet në rajon, por edhe sepse tregjet e reja që kanë nevojë për produkte dhe shërbime hapin perspektiva për zhvillimin e bizneseve edhe nga gratë.

Statistikat

Sipas statistikave, gratë në Shqipëri përbëjnë 51 për qind të popullsisë. Të dhënat mbi varfërinë, tregojnë për një feminizim të saj dhe rritje të peshës së fëmijëve në grupin e të varfërve. Ato kanë më pak mundësi se sa burrat për të filluar një punë, për pasojë niveli i papunësisë është më i lartë. Megjithëse niveli i arsimimit të gruas është i barabartë me burrat, kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. Niveli i punësimit te gratë është 46 për qind, kundrejt 69 për qind për burrat. Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike ku gruaja zë 56 për qind të të punësuarve. Pabarazia në punësim është shumë e dukshme në sektorin privat, ku vetëm 17 për qind e grave punojnë në nivele drejtimi. Përveç nivelit më të ulët në punësim, gratë shpërblehen më pak se burrat dhe janë më të rrezikuara nga largimet nga puna.
Ende në vend, mungojnë statistikat mbi bizneset që drejtojnë gratë, por pritet që kjo situatë të ndryshojë, pasi Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pritet që të nisë një program të ri për kërkim të kryqëzuar, prej nga mund të merren të dhëna të plota mbi situatën e biznesit të grave në të gjithë vendin.

Gratë në biznes

Në Tiranë numërohen 100 biznese të mëdha që drejtohen nga gratë, kryesisht në prodhimin e konfeksioneve, këpucëve, import-eksport, ndërtim, mode, agjenci udhëtimi, turizëm, studio ligjore, etj. Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është një grua dhe përfaqëson një rol-model të vërtetë për shumë gra dhe vajza, por nga ana tjetër, vetëm 10 nga 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë gra.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›