Zhvillimet ekonomike në SHBA në syrin e Bankës së Shqipërisë
Shpërthimi i problemeve me kreditë hipotekare jocilësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin korrik të vitit të kaluar i dha nxitje një procesi zinxhir përkeqësimi, i cili kulmoi me falimentimin e disa prej bankave më të njohura në SHBA. Këto banka ishin krijuar për të lehtësuar financimin e vazhdueshëm të kredive hipotekare nga investitorë institucionalë (duke përfshirë bankat, fondet e investimit, ndërmjetësuesit e tjerë, etj.), por nuk rezultuan të suksesshme. Kriza financiare e shkaktuar nga rënia e çmimit të pasurive të paluajtshme në SHBA u përhap me shpejtësi në ekonominë reale, nëpërmjet rivlerësimit të rrezikut, rënies së ofertës për kredi dhe rritjes së kostove të financimit të borxhit. Si rrjedhojë, mundësia për një kthesë në ciklin e kredisë dhe tkurrje të ekonomisë është rritur. Frenimi i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe përkeqësimi i cilësisë së kredisë hipotekare për kredimarrës jocilësorë shkaktoi probleme jo vetëm në këtë treg, por edhe në tregjet e tjera financiare, të cilat për shkak të kompleksitetit dhe mungesës së transparencës së instrumenteve financiare të krijuara së fundi, lidheshin ngushtë me ecurinë e kredive në këtë sektor. Sot në SHBA, numri i kredimarrësve familjarë që kanë deklaruar pamundësinë e shlyerjes së kredisë është rritur ndjeshëm. Në gjendjen financiare të sektorit të korporatave do të ketë një efekt të rëndësishëm në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Përballë kësaj situate Rezerva Federale ka kryer në një kohë të shkurtër disa ulje të normës bazë të interesit. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane miratoi një paketë për pakësimin e taksave në nivelin 150 miliardë USD për të përmirësuar financat e familjeve dhe të korporatave, dhe pritet të ndërhyjë me masa të tjera. Pavarësisht këtyre, ekspertë shprehin dyshime të forta se ekonomia amerikane do të pësonte një recension ekonomik (rritje negative e ekonomisë për dy tremujorë radhazi).
2 Tetor 2008