E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Senati rishqyrton paketën për daljen nga kriza



Paketa e rishikuar e planit për daljen nga kriza i është paraqitur dje për votim senatit amerikan. Udhëheqësi i Senatit, Herri Reid, tha se ishte esenciale që të veprohej me shpejtësi për rivendosjen e besimit në sistemin financiar dhe forcimin e ekonomisë. Një zëdhënës i udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve e cila e hodhi poshtë versionin e parë ditën e hënë, tha se ai kishte parë versionin e rishikuar dhe besonte se Kongresi do ta votonte atë. Ndërsa Senati amerikan votonte paketën e rishikuar për të shpëtuar sektorin financiar amerikan, Shtëpia e Bardhë tha se shpresonte se masat e propozuara do të fitojnë përkrahje të madhe. Dy kandidatët kryesorë për president, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama, si dhe kandidati demokrat për nënpresident, Xho Bajden shkuan në Uashington për të hedhur votën e tyre. Plani përfshinte një klauzolë për rritjen e kufirit të depozitave bankare që garantohen nga qeveria federale, nga 100 mijë dollarë që është aktualisht në 250 mijë. Senatorët Obama dhe Mekein janë shprehur për rritjen e këtij kufiri. Agjencia që merret me garantimin e depozitave bankare i kërkoi Kongresit që ajo të ketë përkohësisht të drejtën për ta rritur kufirin për të shmangur “një krizë besimi”. Megjithatë, Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave nuk ka përmendur konkretisht se deri në çfarë shume kërkonte që ky kufi të rritej. Në këtë situatë, dy kandidatët krysorë për president po flasin me tone çuditërisht të ngjashme, duke i bërë thirrje Senatit për të vepruar pa vonesë në ndihmë të sektorit të trazuar financiar. Pas përplasjeve për ditë me radhë mbi çështjet ekonomike, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama duket se po flasin tani me të njëjtën gjuhë dhe po i bëjnë thirrje Kongresit të përpiqet përsëri për të miratuar planin e administratës, i cili u hodh poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve të hënën. Mekein dhe rivali i tij demokrat, Senatori Barak Obama, para dy ditësh folën me telefon me presidentin Bush, i cili po ashtu i ka bërë thirrje Kongresit të veprojë pa vonesë për të shpëtuar planin. Si Obama, ashtu edhe Mekein propozuan që qeveria të rrisë nivelin tavan mbi shumën e depozitave të garantuara në bankë nga niveli aktual prej 100 mijë dollarësh në 250 mijë dollarë. Obama u bëri thirrje amerikanëve të mbështesin planin e qeverisë, në komentet që bëri në një tubim për fushatë në Reno të shtetit Nevada. Ai tha se nëse Kongresi nuk ndërmerr masa, amerikanët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë kredi për blerje shtëpie apo për të blerë një makinë e për të paguar studimet universitare. Ka gjasa që ekonomia të jetë një temë e rëndësishme në debatin e sotëm mes dy kandidatëve për nënpresident, republikanes Sara Pejlin dhe demokratit Xho Bajden.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›