E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendrimi i BSH-se: “Sistemi bankar shqiptar mbetet jashtë krizës”



Ervin Koçi

Kriza financiare amerikane, praktikisht, nuk e ka shtrirë ndikimin e vet në aktivitetin bankar në Shqipëri. Kjo sipas Bankës së Shqipërisë, e cila ndryshe nga deklaratat e dy ditëve të fundit, dje ka ndryshuar tonet dhe ka dhënë sinjale sigurie për sistemin bankar në vend. Këtë gjë BSH-ja e ka argumentuar me faktin se aktualisht ekziston një nivel relativisht i ulët i ekspozimit dhe integrimit të sistemit tonë financiar ndaj institucioneve të huaja financiare. Ndërkohë që veprimtaria e grupeve bankare europiane, filialet e të cilave operojnë në vendin tonë, janë të mirëkapitalizuara. BSH-ja gjykon se aktualisht nuk ka ndonjë rrezik ose materializim faktorësh që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar në vend.

Sistemi bankar

Banka Qendrore, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Këshillit Mbikëqyrës të saj si dhe të institucioneve të tjera financiare mbikëqyrëse, deklaron se “sistemi bankar në Shqipëri është fitimprurës dhe i mirëkapitalizuar”. Sipas saj, “në 6-mujorin e parë të vitit 2008, sektori bankar në vendin tonë ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme”. Po sipas BSH-së, “në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 43 për qind të totalit të aktiveve, me një rritje prej 3.6 përqindësh në krahasim me fundin e vitit 2007”. Ndërkohë që burim kryesor i financimit të veprimtarisë mbeten depozitat e publikut, të cilat përfaqësojnë 80 për qind të totalit të aktiveve. Treguesi i kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar, theksojnë specialistë të Bankës Qendrore, është rritur lehtë. Ndërkohë që norma e mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar ka shfaqur një rritje të lehtë në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2008, duke u ngjitur në nivelin 17.3 për qind dhe treguesi i likuiditetit vazhdon të mbetet në nivele më të larta se vendet e tjera të rajonit.

Rreziqet për sistemin bankar

Përhapja e krizës së ekonomisë amerikane në tregjet ndërkombëtare financiare dhe paqartësia për natyrën efekteve, për hartën e institucioneve, për llojin e instrumenteve dhe për përmasat e saj, teorikisht rrit rrezikun e ndikimit në sistemin financiar në vend.
Në këtë kuadër, Banka Qendrore ka prezantuar hollësisht analizën e rreziqeve për sektorin bankar, duke konfirmuar ndërkohë faktin se “sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqet e ndryshme që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshirueshme në: 1) kursin e këmbimit dhe 2) normat e interesit”. Sipas BSH-së, kur analizojmë këta dy tregues duhet t'i referohemi disa elementeve: Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si “likuide”. Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët. Së dyti, diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si dhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar. Së treti, për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit. Së katërti, disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit. Së pesti, për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficencës, sektori bankar në vendin tonë ka pasur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të eficencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë, vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e eficencës në përdorimin e fondeve nuk cenon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

2 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›