Pacientët, Nis diskutimi për të drejtat e tyre
Nis diskutimi për zbatimin e të drejtave të pacientëve në vendin tonë. Për këtë arsye, Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA) do të organizojë sot një tavolinë të rrumbullakët me temë: “Njohja dhe zbatimi i të drejtave të pacientëve në institucionet tona shëndetësore-bazuar në ‘Kartën Shqiptare të Drejtave të Pacientëve’”. Po ashtu, në këtë takim do të diskutohen edhe pengesat dhe zgjidhjet e mundshme për ta bërë kartën e të drejtave të pacientit të zbatueshme dhe pjesë të pandarë të kujdesit shëndetësor. Në kartën e të drejtave të pacientit janë përfshirë jo pak, por 38 rregulla që nëse do të zbatohen nga institucionet shëndetësore, edhe pacientët shqiptarë do ta ndjenin veten si ata jashtë vendit. Rregulli i parë i kësaj karte është: “Të gjithë pacientët kanë të drejtë të mjekohen. Ata kanë të drejtë për kujdesen për shëndetin e tyre; ta përfitojnë atë sipas nevojave, si në raste akute ashtu dhe në raste kronike, të shërbimit parësor dhe spitalor si edhe të kujdesit në bashkësi, pa marrë parasysh aftësinë e tyre për të paguar”.