E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gravesen: Zidan e Bekam janë ndihma ime

08/02/2005  

Ka veshur bluzën e Real Madrid, vetëm përpara një muaji dhe tashmë është kthyer në futbollist bazë, në formacionin e Vanderlei Luksemburgo. Nuk gënjen tekniku Luksemburgo, kur thotë: “Tomas Gravesen është një pikë referimi në mesfushën e Real Madrid“. Ka shënuar golin e katërt në ndeshjen me Espanjol dhe ka shprehur të gjithë lumturinë e tij, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes: “Nuk kisha provuar asnjëherë më parë emocione kaq të forta. Jam shumë i lumtur për golin dhe fitoren mbi të gjitha”.

- Tashmë diferenca me Barcelonën është vetëm –4. Real Madrid duhet të falenderojë Fernando Torres për dy golat...

- Ne kemi bërë detyrën tonë. Morëm një fitore të madhe që sigurisht është çmuar më shumë, pas humbjes së Barcelonës. Asnjëri nga ne nuk e kishte menduar se Barcelona do të bënte një hap fals, pikërisht në shtëpi, por tashmë duhet të jemi të kënaqur që diferenca e pikëve është katër.

- Jeni një nga futbollistët që jeni aktivizuar më shumë. Ju habit numri i minutave që keni luajtur me Real Madrid?

- Është e mrekullueshme ajo që më ka ndodhur. Luaj vazhdimisht dhe trajneri Luksemburgo ka besim te unë. Përpiqem gjithmonë ta paguaj besimin e trajnerit në fushë. Jam gjithmonë i karikuar dhe optimist. Sinqerisht, kur erdha në fillim, mendova se për disa kohë do të qëndroja në pankinë.

- Saki thotë se Gravesen është një nga më të mirët në botë në rolin e tij. Si mendon?

- Ato që ka thënë ai më bëjnë të jem i lumtur. Arrigo është një nga trajnerët më të mirë në botë dhe për mua, është nder i madh të marr komplimentet e tij. Nuk mendoj se jam akoma në 100% të kondicionit tim, por kam akoma shumë kohë për t`u përmirësuar.

- Si ndihesh me David Bekam dhe Zinedin Zidane në mesfushë?

- Vetëm kur mendon se mund të luash me dy futbollistë të këtij kalibri, ndihesh më mirë. Respektivisht asaj që unë bëja tek Evertoni, këtu në Madrid, detyra ime është mjaft preçize. Kam karakteristika mbrojtëse dhe sulmuese dhe kështuqë, Zidane dhe Bekam mund të luajnë më shumë në manovrën sulmuese.

- Nëse duhet të zgjedhësh njërin, midis Ronaldos dhe Ouen?

- Të dy janë futbollistë të mëdhenj, që luajnë për një skuadër të madhe. Unë duhet të bëj gjithmonë detyrën time, ndërsa ai që zgjedh është trajneri. Pastaj, është shumë e vështirë të zgjedhësh midis dy futbollistëve që kanë fituar “Topin e Artë”.

- Ndeshjet e Ligës së Kampioneve po vijnë. Real Madrid do të ndeshet me Juventusin, skuadër që është duke kaluar momente të vështira në kampionat. Jeni duke kaluar momente të mira forme dhe kështu që me shumë mundësi do të jeni në fushë në takimin e parë. Si e sheh këtë sfidë?

- Liga e Kampioneve është një kompeticion shumë i rëndësishëm për Real Madrid dhe objektivi ynë është të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Juventusi është një skuadër e madhe, pavarësisht se është duke kaluar momente jo të mira në kampionatin italian. Takimi i Ligës së Kampioneve do të jetë një histori tjetër. Aty të gjithë duan të japin maksimumin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›