E Hënë, 2 Nëntor 2026

Valencia më larg Champions

08/02/2005  

Sigurimi i një vendi për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve, është objektivi i vetëm i Valencias për këtë sezon. Skuadra e Klaudio Ranierit, gjithmonë duke pasur parasysh rezultatet e javëve të fundit, duket se i ka thënë përfundimisht lamtumirë, luftës për titullin kampion, megjithëse tekniku italian beson akoma te forca e skuadrës së tij: “Nuk dua të dëgjoj se Valencia nuk është midis skuadrave pretedente për fitimin e titullit. Nuk jemi duke kaluar momente të mira forme, por së shpejti do të vijnë rezultatet e mira edhe për ne”. Me Barcelonën që ka pësuar humbjen e parë në “Kamp Nou” dhe Real Madrid që është rikthyer në formë, nuk duket se ka shumë shanse për Valencian e Ranierit, që në katër ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm 3 nga 12 pikët e mundshme.

Por, Valencia nuk mund të flejë e qetë, sepse Sevilia, Betis, Vilareal dhe Espanjol janë të katërta, skuadra që ëndërrojnë një vend për në Ligën e Kampioneve dhe do të luftojnë deri në fund për të arritur këtë objektiv. Janë skuadra, që sigurisht nuk kanë potencialin e Valencias, por i kanë thyer të gjitha parashikimet me rezultatet e vazhdueshme që kanë marrë deri tani: Sevilia (38 pikë), Betis dhe Vilareal (37), Espanjol (35).

Shumë vetë akoma pyesin: Si është e mundur, që një skuadër si Valencia, skuadra që ka fituar kampionatin, sezonin e shkuar dhe nuk ka ndryshuar në krahasim me atë sezon, nuk arrin të fitojë. Sipas medias spanjolle, shkaku kryesor i një sezoni pothuajse të dështuar është trajneri Klaudio Ranieri, i cili shpeshherë ka praktikuar një stil italian në Mestaja, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, kur në pankinë ka qenë trajneri aktual i Liverpulit, Rafael Benitez. Nuk ka qenë e lehtë jeta e Ranierit në Spanjë, i cili është kritikuar shumë për blerjet e Marko Di Vaios dhe Bernardo Korradit, dy futbollistë që për hir të së vërtetës, akoma nuk janë konfirmuar në kampionatin spanjoll. Ish-sulmuesi i Juventusit ka shënuar disa gola të rëndësishëm, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve, kompeticion, në të cilin Valencia është eliminuar qysh në fazën e parë, por nuk ka arritur asnjëherë të sigurojë një vend në formacionin bazë. Ndërsa, ish-laciali është duke menduar për t`u kthyer përsëri në Itali. Në kampionatin spanjoll nuk është ambientuar asnjëherë. Sapo futet në fushë, tifozët e presin me fërshëllima dhe duke marrë parasysh edhe polemikat e kohëve të fundit, me trajnerin Ranieri nuk mund të mendohet një e ardhme e Korradit në Spanjë, i cili aktualisht kërkohet nga disa skuadra të Premier Ligës dhe mbi të gjitha, nga Milani në Itali. Gjithsesi, për destinacionin e tij të ardhshëm do të vendoset vetëm në fund të këtij sezoni, atëherë kur do të vendoset edhe pozicioni i Valencias në klasifikim. Një gjë është e sigurtë: nëse Valencia vazhdon të prezantohet kështu edhe në takimet e ardhshme, një vend në Ligën e Kampioneve do të jetë vetëm një ëndërr. Nëse diçka do të ndryshojë, atëherë tifozët mund të shpresojnë edhe për finalen e mundshme të Kupës UEFA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›