I penduari Coli: Pas vrasjes së Gashit, hëngrëm darkë në lokal
“Pasi vramë Avni Gashin, e futëm viktimën në bagazhin e makinës dhe hëngrëm darkë së bashku me shokët e mi në lokal”. Ky ka qenë rrëfimi rrëqethës i të penduarit të “Bandës së Durrësit”, teksa rrëfente një ndër shumë krimet ku ka marrë pjesë. Vrasja e Avni Gashit ka qenë një nga dy vrasjet që ka rrëfyer i penduari gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që i pyetur nga organi i akuzës dhe avokatët, i penduari tregonte me detaje çdo veprim të kryer, motivin pse vranë Gashin, si dhe gjakftohtësia me të cilën kanë vepruar pas vrasjes së këtij të fundit, duke e futur kufomën në bagazhin e makinës, pastruan gjakun dhe më pas u ulën të hanin darkë. Më pas, i penduari vijoi dëshminë me vrasjen e Ilir Koldashit, krim i ndodhur në një disko te hotel “Sheratoni”. Adriatik Coli, pasi dëshmoi për rreth tri orë me radhë për tentativat e grupit të Dolkes për vrasjen e Lul Berishës, ka dëshmuar mbi motivet që çuan grupin e drejtuar nga Dokle të kryente vrasjet, kush ishte personi që vrau Gashin e Koldashin, si dhe të tjera detaje të rëndësishme.
Rrëfimi për vrasjen e Avni Gashit
Indritit i ishte bërë fiksim Avni Gashi, pasi thoshte se ai kishte spiunuar kur ishte vrarë Klodi. Kjo përshtypje i ishte krijuar pasi natën e vrasjes së Klodit, Avniu kishte qenë duke shkuar për në Tiranë dhe kishte ndaluar në autostradë, ku kishte parë makinën e Klodit përmbys. Këtë muhabet Avniu na e kishte treguar mua dhe Indritit. Atë ditë do të luhej ndeshja Shqipëri-Turqi në Tiranë, para se të fillonte ndeshja, unë me Indritin, Sardianin dhe Kujtim Bunën ishim tek shtëpia me qira tek “21 dhjetori”. Indriti e mori në telefon Avniun dhe i tha: “Hajde e flasim për punë pune, por mos i trego njeriu që ke ardhur këtu”. Indriti la takimi me Avniun tek hotel “Mondial” dhe e porositi që të vinte me furgon që të mos ta shikonte njeri. Dhjetë minuta para ndeshjes, Avniu i bëri telefon Indritit e i tha se kishte ardhur tek “Mondial”. Indriti i tha: “Më prit se po vij aty”. Në këtë momente ne ishim te garazhi poshtë shtëpisë sime dhe po prisnim ardhjen e Avniut. Pas telefonatës që i bëri Indritit, ky i fundit dërgoi Sardianin në këmbë për ta marrë, pasi shtëpia ishte rreth 300 metra larg hotel “Mondial”-it. Pas rreth 5 minutash, Sardiani erdhi së bashku me Avniun pa asnjë merak, pasi njiheshin me njëri-tjetrin. Sapo Avniu erdhi, ai u takua me mua, Kujtimin dhe Indritin dhe u ulëm tek karriget. Unë në atë kohë isha duke luajtur me kalçeto dore me topa pingpongu së bashku me Kujtimin. Përpara se të vinte Avniu ne e kishim planifikuar se ai do të vritej. Sapo Avniu u ul në një karrige, Indriti e pyeti atë për ngjarjen e vrasjes së Klodit dhe ai i tregoi momentin që na kishte treguar më parë. Pas pesë minutash, ata afrohen afër meje dhe Kujtimit. Sardiani ishte në krahë të djathtë të Avniut. Kur Avniu afrohet afër kalçetos, Sardian Sulejmani nxjerr pistoletën me silenciator nga xhepi i brendshëm i xhaketës së krahut të majtë dhe e qëllon Avniun dy herë në krahun e djathtë të kokës. Avniu bie menjëherë në tokë. Unë mora një qese të zeza, vesha një palë doreza dhe me qese i mblodha kokën Avniut dhe qesen e shtrëngova me skoç rreth qafës, në mënyrë që mos të dilte gjaku. Kujtimi më ndihmoi duke e ngritur kokën e Avniut që unë ta fusja në qese dhe ta shtrëngoja me skoç. Pastaj i hoqa jelekun Avniut, pasi ishte bërë me gjak dhe e tërhoqa nga pellgu i gjakut. Hapa bagazhin e “Jaguar”-it, shtrova qese të zeza dhe pastaj morëm kufomën dhe e futëm brenda të katërt. Jelekun e futëm me një qese dhe e hodhëm në një kazan plehrash në lagje. Pasi e futëm trupin e Avniut në bagazh, filluam të pastronim pellgun e gjakut, të cilin e kemi pastruar me shtupa me detergjente (Ace). Shtupat, fshesat dhe celularin e Avniut, të cilin pasi e thyem, i hodhëm te kazani i plehrave në lagje. Kur i mbaruam këto punë, Indriti na tha që ai do të ikte para me Kujtimin, ndërsa unë me Sardianin do ta ndiqnim mbrapa me “Jaguar”. Indriti me Kujtimin morën një taksi dhe kur taksia erdhi, ne e ndoqëm nga mbrapa. Makinës “Jaguar” i jepja unë, ndërsa Sardiani ishte në vend të parë. Vazhduam rrugën për në autostradë dhe në Sukth morëm Indritin dhe Kujtimin, të cilët kishin zbritur nga taksia. Pastaj kaluam mbikalimin dhe morëm rrugën Plepa–Tiranë. Aty qëndruam në një lokal dhe hëngrëm bukë. Në atë kohë ishte pjesa e dytë e ndeshjes Shqipëri-Turqi. Ne pritëm sapo u errësua pak dhe me pas i hipëm makinës dhe morëm drejtimin për në Tiranë. Pasi kishim bërë rreth 100 metra rrugë, pamë një lavash makinash dhe na u duk vendi i përshtatshëm për të hedhur kufomën e Avniut. Kthyem makinën me prapakolp, unë me Kujtimin veshëm doreza nga ato që përdoren për pastrim shtëpie, dolëm nga makina, hapëm bagazhin dhe pasi morëm kufomën e Avniut e ulëm në tokë. Pastaj unë i hoqa qesen që kishte në qafë dhe këtë qese e futa në një qese tjetër të pastër dhe Avniun e vrarë e hodhëm tek disa ferra poshtë lavazhit. Mbasi e hodhëm trupin, i hoqëm dorezat dhe i futëm te qesja me gjak. Këtë qese e futëm përsëri në bagazhin e makinës dhe pasi u futëm në makinë, u nisëm dhe morëm rrugën nga kishim ardhur. Kur dolëm te katër rrugët e Shijakut, ndoqëm rrugën për në Tiranë. Kur kaluam Maminasin, ndaluam makinën dhe dogjëm qeset me çakmak dhe nga ato nuk ngeli asnjë gjë. Pastaj vazhduam rrugën për në Tiranë, ku shkuam te garazhi i shtëpisë sime. Ata ikën të tre tek shtëpia e re që kishim marrë me qira, ndërsa unë qëndrova. Më pas mora vesh nga Indriti se armën me të cilën Sardiani qëlloi Avniun, ai e kishte bërë copa-copa dhe e kishte hedhur nëpër puseta të lagjes. Të nesërmen te garazhi i shtëpisë sime ka ardhur Kujtim Buna dhe unë me Kujtimin pastruam edhe njëherë vendin ku u vra Avniu. Mbasi e pastruam mirë dhe na u mbush mendja se nuk kemi lënë asnjë shenjë, filluam të mbyllnim dy brimat që kishte lënë pistoleta në momentin që u qëllua Avniu. Brimat i mbushëm me llaç dhe i lyem me gëlqere. Brimat ishin në faqen e majtë të murit në pozicion sipër njëra-tjetrës kur futesh te garazhi majtas. Pasi i bëmë këto punë, Kujtimi iku, ndërsa unë qëndrova. Disa ditë më pas Indritin e morën në telefon nga shtëpia e tij dhe i thanë se ka ardhur një fletë-thirrje nga Prokuroria e Durrësit dhe e kishin sjellë dy oficerë krimesh. Indriti konsultohet me babin e tij dhe i thotë që nuk kam pse të shkojë. Indriti i tha babait të tij të takonte avokat Agim Hoxhën, në mënyrë që të pyeste nga prokuroria se për çfarë e kishin thirrur. Avokati nuk kishte kthyer përgjigje dhe pas dy ditësh, Indritit i vjen fletë-thirrja e dytë nga Prokuroria e Durrësit, të cilën ia kishte çuar tek shtëpia një mikrobus policie. Indritin e morën përsëri nga shtëpia e tij dhe e lajmëruan se kishte shkuar mikrobusi i Policisë së Durrësit dhe i kishte çuar fletë-thirrjen dhe Indriti vendosi që të paraqitej në Prokurori.
Vrasja e Ilir Koldashit, pas vrasjes së Gashit
Një ditë para se të shkonte në Prokurori, i thirrur për vrasjen e Avni Gashit, Indrit Dokle ishte së bashku me mua tek shtëpia e tij me qira. Atë natë tek shtëpia e Indritit ishte Kujtim Buna, Sardian Sulejmani dhe unë. Kujtimi doli nga shtëpia rreth orës 18:00–19:00 dhe na tha se do të shkonte të takonte disa shokë. Vjen në shtëpi aty nga ora 22:30, ishte i pirë dhe filloi të shante me fjalë të ndyra. Unë dhe Indriti e pyetëm se çfarë kishte që shante, por ai vazhdonte duke rrahur duart dhe duke sharë. Indriti e pyeti se çfarë kishte. Ai i tha që bodigardi i diskos së A.Z. ma bëri për kunj. Ne e pyetëm si është puna dhe ai tha se kishte hyrë në disko me një shef policie të Lezhës dhe atë nuk e kishte kontrolluar bodigardi, kurse Kujtimin e kishte kontrolluar. Kujtimi nga mërzia dhe inati kishte filluar të pinte në disko dhe kur erdhi në shtëpi rreth orës 22:30 ishte bërë tapë. Indriti pasi dëgjoi këtë, i tha Kujtimit: “Ik e zihu”. Në këtë moment, Kujtimi stepet pak dhe unë e Indriti i thamë ta linte këtë muhabet për ta zgjidhur nesër. Kujtimi më përgjigjet mua duke më thënë: “Unë të kam ngrënë bukën në shtëpi ty, ndërsa ti akoma s’ma ke ngrënë bukën mua”. Indriti i thotë Kujtimit që “ai është më i madh se ty prandaj duhet me ja dëgju fjalën”. Kujtim pas këtyre fjalëve merr në telefon një shok të tij që është punonjës policie dhe është me origjinë nga Kukësi. Kujtimi i tha atij që të shkonte te shoku i vet që ishte një mundës me origjinë nga Kukësi, me banim në Laprakë dhe të merrte dy pistoletat. Po ashtu, Kujtimi mori në telefon edhe mundësin që e thirri në emër, po mua nuk më kujtohet dhe i tha që do të vijë shoku jonë t’i marrë pistoletat dhe t’ia japësh. Ai punonjësi i policisë shkoi i mori armët dhe ia solli po atë natë tek shtëpia me qese. Ne kishim zbritur nga shtëpia dhe dolëm para restorantit turk që ndodhet në “Rrugën e Kavajës” dhe e pritëm atë policin që erdhi me makinën e tij dhe hipëm që të katërt, unë, Kujtimi, Indriti dhe Sardiani. Në makinë morëm pistoletat që ishin dy, një unë të tipit “CZ” dhe “Bereta”-n e mori Kujtimi. Të gjithë bashkë shkuam te Disko që ndodhej tek hotel “Sheraton”. Aty zbritëm nga makina dhe hymë në disko, unë, Indriti dhe Sardiani, ndërsa Kujtimi dhe polici qëndruan te dera e diskos. Indriti takoi përgjegjësin e sigurisë së diskos dhe dolën që të dy jashtë duke biseduar, ndërsa unë me Sardianin i shoqëruam nga pas. Kur dalim jashtë duke kaluar derën e diskos, Indriti i thotë përgjegjësit që cili është bodigardi që e ka kontrolluar Kujtimin. Pas këtij momenti, Kujtimi shkon tek cepi i hyrjes së diskos që futesh për nga hoteli “Sheraton”. Nga ajo si tip porte që ndodhej në këtë krahë nga shkoi Kujtimi del një person që e tërheq Kujtimin si leckë. Unë ndërkohë i them se “kush je ti, se ne jemi katër vëllezër”. Në këtë moment, pas meje ishte Indriti, i cili me zë të lartë i thotë personit që po tërhiqte Kujtimin se “kush je ti?”. Ky person i thotë se “jam Ilir Koldashi, po ti kush je?”. Indriti iu përgjigjet: “Unë jam Indrit Dokle”. Ai i thotë: “Ti je ai krimineli?”. Indriti i përgjigjet se “jam nga Hasi”, ndërsa atij i tha emrin e fshatit të tij. Personi nuk iu përgjigj dhe neve morëm rrugën për të ikur. Indriti del tek dera e portës së diskos. Personi ishte afër me Kujtimin dhe Sardianin. Në krahun tim ka qenë përgjegjësi i diskos. Indriti para se të dilte tek dera shan personat. Personi i thotë: “Mua më shan nga motra more klluf” dhe i turret Indritit. Indriti i tha që unë nuk të shava ty. Kujtimi i del përpara këtij personi që u prezantua si Ilir Koldashi dhe e qëllon me të dy duart në fytyrë. Iliri i gjuan Kujtimit me grusht dhe ata lidhen me njëri-tjetrin, duke u mundur t’i qëllonin njëri-tjetrit me grusht. Në atë kohë, Ilirin e kisha me kurriz dhe e nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë dhe pastaj ika me vrap. Vrapova në drejtim të pastiçerisë “Venecia”-s dhe mbas meje vjen Kujtimi dhe Sardiani me vrap. Indriti iku avash-avash, ndërsa ne morëm drejtimin e “Venecia”-s për në rrugën që të çon te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Kur shkova në buzë të “Rrugës së Elbasanit”, afër një muri dhe pikërisht tek cepi i tij e hodha pistoletën. Mora rrugën majtas dhe u futa tek rruga në krah të Fakultetit Ekonomik. U ktheva përsëri majtas dhe dola përsëri tek kryqëzimi ku kisha hedhur pistoletën. Aty u bashkova me Sardianin dhe Kujtimin, ku Kujtimi ma dha pistoletën e tij dhe celularin dhe më tha që “unë do iki se jam plagosur”. Pashë se Kujtimi kishte gjak tek gjoksi. Pasi ikën Kujtimi me Sardianin, pistoletën e Kujtimit e hodha poshtë një qebaptore portative, ndërsa celularin e Kujtimit e kam hedhur në lulishten rrethues të Fakultetit Ekonomik, brenda rrethimit. Pastaj mora drejtimin e fushës së sportit dhe pasi dola sipër Qytetit Studenti, u ktheva djathtas në një rrugë të asfaltuar dhe dola në rrugën kryesore të Elbasanit dhe u futa tek kodrat e liqenit artificial dhe dola tek liqeni. Në një rrugicë afër Gardës kam ndaluar një djalë që po vinte me motorë, të cilit i thash që të më çonte deri tek “21 dhjetorit” se e kam babin shumë të sëmurë dhe i dhashë 20 euro si shpërblim. Gjatë gjithë rrugës Indriti më ka marr në telefon rreth 4–5 herë, duke më pyetur se ku isha. Nga vendi ku kam bërë vrasjen e deri tek shtëpia kam folur në telefon vetëm me Indritin dhe asnjë person tjetër. Shkova te shtëpia e Indritit ku rrinte me qira dhe aty më tha që ai djali ka vdekur në vend dhe Kujtimi është rëndë. Pastaj Indriti më tha “çfarë na bëre”. Unë iu përgjigja se ti e shave, Kujtimi i gjuajti edhe ti po ta kishe në brez në atë moment do të qëlloje. Ai më tha që unë nuk do t’i shtija. Pastaj, Indriti më tha që unë do të iki dhe ai të rrijë. Pastaj unë i thashë që unë po iki, e ai më tha prit se do të vij edhe unë. Dolëm nga kjo shtëpi dhe kemi shkuar tek shtëpia e një shoku tek stadiumi “Dinamo” në një pallat të ri shumëkatësh. Atë natë kemi fjetur aty dhe i treguam të gjitha atij shokut se çfarë kishte ndodhur. Para se të shkonim, ky shoku e kishte marr Indritin në telefon dhe i kishte thënë që po e priste. Gjatë kësaj kohe Indritit i telefonoi babait i tij dhe i tha që në shtëpi kanë ardhur për kontroll policia. Indriti iu përgjigj “po mirë le të vijnë, se unë nuk kam bërë gjë”.