E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 18 vite burg për "vrasësin" e nënës

Organi i akuzës ka kërkuar shpalljen fajtor të 38-vjeçarit që punonte si truproje në lokalet e natës


TIRANË- "Vrava nënën sepse nuk e donte babanë. Ajo e ka trajtuar keq tërë jetën",- kjo ka qenë fjala e ish-truprojës së PAB-eve në kryeqytet, Viktor Prendi, në kohën e pranimit të akuzës së vrasjes së nënës së tij Vitore Prendi. Për këtë vrasje prokurorja e çështjes kërkoi dje nga gjykata ta dënojë me 18 vite burg.


Para togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, prokurorja lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Viktor Prendi, ku pas riformulimit të fabulës së ngjarjes i kërkoi gjykatës ta deklarojë fajtor të pandehurin për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar me 18 vite burg.


Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ulet automatikisht 1\3 e dënimit, që përfundimisht sipas akuzës i pandehuri duhet të vuajë 12 vjet heqje lirie.
Viktor Prendi ka pranuar dhe rrëfyer vrasjen dhe arsyen që e dërguan deri tek ky ekzekutim me pesë fishekë. "Arsye pse e qëllova nënën me automatik, është se e vrava për nder të babait pas vdekjes.


Pasi nëna Vitore Prendi e urrente babanë tim, i cili ndërroi jetë vetëm 10 ditë para vrasjes që kreva",- ka thënë 38- vjeçari nga fshati Prush i Tiranës. Sipas dosjes, fillimisht nënë e bir ishin zënë me fjalë duke debatuar edhe me të bërtitura, që ka degjeneruar më pas në shkrepjen e armës automatike që 38- vjeçari e mbante në banesë.


Pas vrasjes së nënës, i pandehuri ka tentuar të vrasë veten nga dëshpërimi, por, për fatin e 38- vjeçarit, arma automatike nuk kishte më fishekë brenda karikatorit. Arsyeja pse kishte tentuar të vriste veten, mësohet se ka qenë frika e hakmarrjes ndaj tij nga vëllezërit e nënës që banonin jo larg nga banesa ku ndodhi ekzekutimi i Vitore Prendit.


Pas leximit të pretencës, gjykata ndërpreu vazhdimin e seancës gjyqësore duke i dhënë një javë kohë avokatit Agron Bajri të përgatiste mbrojtjen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›