E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takohet me drejtorin e NDI-së, flitet për monitorimin e zgjedhjeve



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim me drejtorin Rajonal të NDI-së (Institutit Demokratik Amerikan), z. Rob Benjamin, dhe përfaqësues të tjerë të NDI-së në vendin tonë. Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit të këtij viti dhe rëndësinë e tyre për Shqipërinë, procesin e monitorimit të procesit zgjedhor dhe administrimin e tij. Një vend të veçantë në takimin mes kryetarit të LSI-së dhe përfaqësuesve të NDI-së ka zënë ajo mbi vëzhguesit dhe monitoruesit e zgjedhjeve të 2009-s, si dhe roli i faktorit ndërkombëtar në të gjithë procesin zgjedhor. Kryetari Meta i shprehu drejtorit Rajonal të NDI-së, Rob Benjamin, shqetësimet e LSI-së lidhur me Kodin Zgjedhor dhe reformën elektorale në tërësinë e saj. Nga ana e tij, Rob Benjamin dhe përfaqësuesit e tjerë të NDI-së bënë të ditur se NDI-ja është duke planifikuar një program trajnues për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Gjithashtu ata shprehën vlerësimet për bashkëpunimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim në iniciativat e saj, qoftë për demokratizimin e institucioneve në Shqipëri, qoftë për çështje të barazisë gjinore dhe angazhimin e gruas në politikë, si dhe shprehën dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›