E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “Turp për Berishën si mjek dhe si kryeministër që ka shkatërruar shëndetësinë”



Në kuadër të fushatës që G99-a ka nisur, për të sjellë në vëmendje publike, problemet e lidhura me sigurinë e jetës në vend, Erion Veliaj vizitoi dje Pavijonin e Urgjencës te spitali i fëmijëve në kompleksin e QSUT-së. Një nga godinat që duhet të shërbejnë për fëmijët e sëmurë është e mbyllur duke vështirësuar kushtet e punës për doktorët, të cilët kanë në dispozicion ambiente më të vogla dhe për prindërit, që duhet të rinë në radhë sepse ka vetëm dy mjekë që mund t’u shërbejnë në të njëjtën kohë. Veliaj bisedoi me disa nga prindërit, të cilët rrëfyen se duhet të blejnë gjithçka vetë, deri te aget njëpërdorimshme, sepse spitali nuk ka pajisjet e nevojshme për kurimin e fëmijëve. Kreu i G99-s e cilësoi të mjerueshme situatën në spitale dhe fajësoi kryeministrin Berisha si shkaktar të saj. “Është një turp që një vend me një kryeministër mjek ka kushte mizerabël për spitalin e fëmijëve. Nuk ka sot asnjë shqiptar që mos të mendojë se gjëja më e çmuar është jeta dhe shëndeti i më të vegjëlve. Siç folëm dhe me mjekët, në këtë spital ka nevoja imediate. Si ka mundësi që këta prindër duhet të blejnë deri te aget e shiringave dhe sjellin gjithë arsenalin e mjeteve vetë? Kjo qeveri, që harxhon miliona lekë me spote për t’u mburrur me NATO-n dhe aplikimin për në BE, duhet të gjejë fonde të rregullojë kushtet në spitale, të rrisë pagat e këtyre mjekëve që punojnë si heronj, në kushte kaq të vështira, në ngushticë dhe pa mjete. Nuk ka asgjë për t’u mburrur një qeveri e cila nuk garanton dot as gjënë më minimale: spitalin e fëmijëve. Kush nga politikanët tanë i sjell fëmijët e vegjël në këto urgjenca, në këtë spital? A do ta sillte Sali Berisha mbesën e vet të sëmurë në këtë spital? A do ta sillte Jozefina Topalli vajzën e vet në këtë spital? E pra, politikanët tanë janë të parët që tregojnë me sjelljen e tyre mungesën e plotë të besimit te shërbimi shëndetësor publik”, - tha Veliaj.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›