E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët: Në treg ka majonezë dhe margarinë kancerogjene

Thellohet skandali me vajin kancerogjen. Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Greqi, ka njoftuar dje se përveç vajit, me ndotje kancoregjene kanë rezultuar edhe margarina e majoneza e markës CRAFT.

marko caka / athine

Një markë kjo e njohur për tregun shqiptar. Dje, autoritet greke kërkuan zbrazjen e të gjithë dyqaneve nga këto produkte, duke i cilësuar ata si të rrezikshëm për jetën. Dyshohet se margarina dhe majoneza është prodhuar, duke përdorur pikërisht vajin kancerogjen nga Ukraina. Autoritet greke, njoftojnë se ky lloj produkti mund të ketë kaluar edhe kufijtë e Greqisë, drejt vendeve fqinje, duke rrezikuar kështu edhe Shqipërinë. Bëhet fjalë për margarinën dhe majonezën CRAFT, me datat e skadimit, respektivisht, margarina, 29.12.2008 dhe majoneza me datë 1.2.2009. Por një tjetër lajm i keq ka mbërritur dje nga Greqia. Hetimet e prokurorisë greke në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë greke dolën me një raport të fundit për ndalimin e tregtimit të vajit nga supermarketet. Me hollësisht, në raportin e saj sektori EFET njofton se, në rrjetin e supermarketeve LIDL është gjetur vaj me përbërje dioksini. Kjo kompani, me atë të  kompanive belge "Cargill Oil Packers", "Prins Albertlaan 12", "B-8870 Izegem", ka sjellë një ngarkesë 356.400 litra vaj me përzierje dioksini dhe që kanë datë skadimi 30-6-2009. Autoritet greke urdhëruan ndalimin e shitjes së kësaj sasie shumë të madhe në supermarketet e LIDL. Madje, në raportin e saj EFET kërkoi që të njoftohen urgjentisht dhe konsumatorët e saj, të cilët duhet të kthejnë mbrapsht vajin kancerogjen, i cili është një rrezik serioz për jetën e tyre. Siç dihet, kompania e madhe LIDL ka dhe filiale të saj në Shqipëri dhe nuk përjashtohet që një sasi e madhe vaji të jetë edhe në Shqipëri. Edhe këtë radhë, kanë qenë francezët të cilët kanë lajmëruar Greqinë për skandalin. Ata lajmëruan se, nga 6 maji në tregun grek ishin hedhur 3 milionë litra vaj kancerogjen i dioksinuar. Autoritetet shqiptare, nuk kanë dhënë asgjë zyrtare për hyrjen ose jo të kësaj sasie në Shqipëri. Ky hezitim e bën akoma më dyshues tregun shqiptar.

Gjana: S’ka hyrë vaj kancerogjen në Shqipëri

Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, është shprehur dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se në Shqipëri nuk ka hyrë asnjë litër vaj kancerogjen. Në fakt, ka qenë Kryeministri Berisha ai që i ka kërkuar ministrit Gjana më shumë informacion rreth situatës së fundit, ku dyshohet se një sasi e madhe vaji kancerogjen është futur në Shqipëri përmes pikave doganore me Greqinë. Por Gjana është shprehur i sigurt duke thënë se, "nuk ka hyrë vaj kancerogjen në Shqipëri. Unë kam kontaktuar me të gjithë autoritetet dhe më rezulton se nuk ka hyrë vaj i tillë". Por pavarësisht bindjes së ministrit Gjana, Kryeministri Berisha ka kërkuar më shumë informacion për ditët në vijim lidhur me këtë çështje, duke i kërkuar të dalë para publikut për të sqaruar situatën. Prej disa ditësh dyshohet se një sasi vaji kancerogjen ka ardhur edhe në Shqipëri. Një raport i Ministrisë së Bujqësisë greke konfirmoi se të paktën dy ngarkesa me vaj nga Ukraina, të përzier me vaj lubrifikant, kanë kaluar kufirin me Shqipërinë. Sipas ministrisë greke, vetëm pak ditë më parë, rreth 38.2 tonë vaj i ardhur nga Ukraina është importuar në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›